Dita e Pavarësisë nuk ka mundur të bëjë bashkë politikën në vend. Ish-kryeministri, Sali Berisha ka uruar shqiptarët nga qyteti i Vlorës, nga ku u shpall Shqipëria u shpall shtet sovran e i pavarur 111 vite më parë.

 

“Unë sot isha në Vlorë për të shprehur nderimet e mia në emër të demokratëve shqiptarë të opozitës dhe të gjithë shqiptarëve që i thonë vetes shqiptar, për Ismail Qemalin, për Vlorën dhe qytetarët e saj, për këtë akt shpëtimtar për kombin.

U ndala në familjen Mezini, pasardhësin e Abaz Mezinit, një nga themeluesit e Vlorës, me kontribut historik në Pavarësi.

Abaz Mezini ish-kryetari i parë i Bashkisë së Vlorës, kishte kryesuar komitetin e sigurisë për shpalljen e pavarësisë në qytetin e Vlorës”, tha ai.

 

Por urimet ia lanë vendin kritikave dhe akuzave të ashpra, ku edhe këtë herë u “shigjetua” rivali i tij në politikë, Edi Rama. Këtë të fundit Berisha e akuzoi si antinacionalist dhe bashkëpunëtor të Beogradit.

 

“Përpara tek varri i të pavdekshmit, Ismail Bej Vlora, kishte vendosur kurorë edhe Pashiqi i Tiranës. Ishte një përdhosje e veprës së ndritur. Ishte një përdhosje e të gjithë atyre që luftuan dhe ranë për një Shqipëri të pavarur.

Një armik i qenies shqiptare, një kryeministër që vlerësohet nga politologët e kohës, si kryeministri më i mirë i Serbisë pas Nikolla Pashiqit, nuk meriton asnjë ditë karrigen që mban.

Fyen ndërgjegjen kombëtare të çdo shqiptare, fyen të gjallët dhe të vdekurit e këtij vendi që kanë dashur dhe që e duan Shqipërinë dhe kombin”, tha Berisha.

 

Liderë të shumtë të politikës kanë uruar shqiptarët në këtë ditë të shënuar, ku kanë zgjedhur vendndodhje të ndryshme që lidhen me simbolikën e kësaj feste.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re