Një takim i kandidatit për kreun e PD-së, Agron Shehaj, me ambasadoren amerikane Yuri Kim me kërkesë të kësaj të fundit “ka thyer” paktin hipokrit që po ndodh në procesin e PD se gara po duket e fortë, e ndershme dhe pa ndërhyrje.

Më 1 qershor Agron Shehaj njoftoi përmes faqes së tij në Facebook se kishte takuar Yuri Kimin, duke nënvizuar ndër radhë se, “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë në krah të PD-së që në ditët e para të lindjes së saj” dhe se “kjo lidhje, mbështetur në vlerat e lirisë dhe demokracisë, do të forcohet edhe më shumë në të ardhmen”.

Postimi i tij u pëlqye nga 2800 persona, por u shoqërua edhe me komente të shumta (mbi 700 të tilla) ku dallohej në shumicë një pakënaqësi apo hatërmbetje e komentuesve lidhur me vendimin DASH ndaj Sali Berishës, por edhe qëndrimin e SHBA pas zgjedhjeve.

Pati edhe nga ata komentues që e kishin shigjetuar kandidatin demokrat për një qëndrim jo të qartë në raport me Berishën.

Komente këto që sa duket krijuan edhe një përshtypje tek Agron Shehaj i cili i ftuar dy ditë më pas në Euronews foli për qarqe antiamerikane brenda PD-së.

“Ambasadorja ishte e interesuar rreth kandidimit tim dhe diskutuam mbi këtë dhe çështje të tjera politike. Ka pasur shumë reagim në fakt, ka pasur kritika, ka pasur edhe sulme.

Ka pasur kritika, sepse realisht shumë demokratë janë lënduar nga vendi i DASH për të shpallur  “non grata” z. Berisha dhe është e kuptueshme.

Ka pasur sulme në rrjete sociale, nëpërmjet disa mekanizmave që janë përdorur gjatë fushatës elektorale dhe tani po përdoren kundër meje.

Janë individë të caktuar që punojnë…Ka demokratë që në mënyrë spontante kanë reaguar për vendimin e DASH, por nga ana tjetër ka pasur sulme që kanë shfrytëzuar këtë zemërim nga individë të caktuar që punojnë për PD, që kanë filluar të punojnë kohët e fundit me qasje qartësisht antiamerikane”, tha Shehaj duke atakuar në fakt direkt Lulzim Bashën

Kjo deklaratë theu paktin e heshtur dhe solli të parin reagim nga një tjetër politikan në PD “prurje” e Lulzim Bashës që zgjedhjet e fundit u votua bindshëm në jug nga PD, Ervin Salianji.

“Keqardhje për akuzat e rëndomta e mbi të gjitha të pavërteta të  kandidatit Agron Shehaj.

Një gjë është e sigurt, që në Partinë Demokratike, nuk ka pasur nuk ka dhe nuk do të ketë asnjëherë vend për asnjë antiamerikan.

Në vendin më proamerikan në botë dhe në partinë më proamerikane, të kërkosh për antiamerikanë dhe të aludosh se ata janë pjesë e partisë ku bën pjesë  është ofendim i ulët dhe një dëm që tentojnë t’i bëjnë PD.

Një gjë të tillë deri më sot me shpifjen që e karakterizon ka guxuar ta thotë vetëm Edi Rama”, shkruan Salianji, deklarata e të cilit është pëlqyer nga 436 persona dhe shoqëruar nga 50 komente nga më të ndryshmet nga ata që e mbështesnin e deri tek ata që e kundërshtonin, duke iu referuar pikërisht rastit “Berisha”.

Ervin Salianji është ndër të paktët politikan të promovuar nga Lulzim Basha që ngjiti shkallet në PD pikërisht duke sulmuar ish-qeverinë e djathtë duke filluar me emra nga ish-ministra e deri tek ish-kryeministri Berisha.

Ndaj dhe reagimi i tij nuk mund të shihet si spontan dhe i atypëratyshëm, ndaj një deklarate që nuk ishte as zbardhur zyrtarisht në faqen e Agron Shehajt.

Një lëvizje tipike kjo brenda partisë ku në njërën anë “bombardon” me komente pro-Berisha dhe nën anën tjetër “paqtohesh” me amerikanët përmes një deklarate publike nga të paktët politikanë anti-Berishë në PD.(SI)