Pak orë pasi demokratët humbën thellë raundin e dytë të zgjedhjeve në bashkinë e Rrogozhinës, lideri i opozitës, Sali Berisha, akuzoi mazhorancën se manipuloi vullnetin e qytetarëve.
Sipas Berishës, në 14 maj kjo bashki u fitua nga kandidati Shkëlqim Hoxha, por iu rrëmbye nga KQZ e Kolegji Zgjedhor, ndërkohë që në 23 korrik i gjithë shteti ushtroi terror mbi banorët e Rrogozhinës.
SALI BERISHA
“Në rezultatin e mbrëmshëm, qëndron një terror i paparë i ushtruar për 1 muaj rresht ndaj qytetarëve, ndaj biznesmenëve, ndaj zgjedhësve të Rrogozhinës. Një terror i të gjitha formave, fiskal, fizik, etj. Në farsën elektorale u konstatuan manipulime të hapura, fletëvotimi të përgatitura paraprakisht, fotografim i fletëve të votimit, në qendrën e votimit, votime në grupe, votime familjare, të gjitha format e shëmtuara.”
Ish-kryeministri Berisha akuzoi kryetarin e bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, deputetin Agron Çela, si dhe disa drejtues të institucioneve të shtetit shqiptar, se ushtruan presion mbi votuesit në Rrogozhinë.
“E gjithë kjo farsë u drejtua nga Erion Veliaj, i cili në përfundim të saj pranoi se shqiptarët nuk na duan. Pranoi se fituam jo se na duan. Natyrisht të mendosh se shtohen votat kur pas skandaleve të tmerrshme, si ajo e klanit Rraja, pas skandaleve seksuale të zyrtarëve, të mendosh se shtohen votat pas arratisjes së shekullit, të mendosh se shtohen votat pas shpërthimit të ri të gjirizeve të aferës më të tmerrshme korruptive të asaj të djegësve, do të thotë të jesh me një koficent intelektual afër zeros.”
Berisha deklaroi se përsëritja e zgjedhjeve në Rrogozhinë tregoi se vota ka vdekur, duke u bërë apel qytetarëve të reagojnë.
“Rruga e vetme për të rikthyer lirinë, votën e lirë, është përballja në protestë të fuqishme me këtë bandë që drejton sot me metodat më mafioze, Shqipërinë dhe shqiptarët.”
Tashmë që zgjedhjet e 14 majit dhe beteja ligjore e opozitës përfundoi, opozita arriti të fitojë vetëm 7 bashki nga 51 që ka Shqipëria, rezultati më i dobët ky për demokratët.