Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi betejë në gjykatën kushtetuese kundër projektit për portin e ri të Durrësit.

 

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha përsëriti akuzën se 60% të aksioneve në këtë projekt i përkasin kryeministrit Edi Rama dhe familjarëve të tij.

 

SALI BERISHA

 

KRYETAR I PD

 

“Ne, edhe njëherë, garantojmë se këtë projekt nuk do e lejojmë. U bëjmë thirrje qytetarëve shqiptarë, mos shpenzoni asnjë lek në këtë zonë krimi gjigant. U bëjmë thirrje kompanive shqiptare, mos u bëni ortakë në këtë vjedhje monstruoze të pronës publik.”

 

Por akuzat e Sali Berishës për portin e Durrësit nuk përfshinë vetëm kryeministrin Edi Rama, por edhe ish-kryetarin e PD Lulzim Basha.

 

Sipas Berishës fakti që administratori i kompanive të familjarëve të Bashës është edhe tek kompania e portit të Durrësit, tregon se lideri i mazhorancës përdori këtë projekt për të kapur opozitën.

 

“Nëse ka një akt makbethian të Edi Ramës është përfshirja e kreut të opozitës në aferën e Durrësit. Shfrytëzon që një qenie e dobët siç  ishte ai dhe e fut në kllapa në aferën më të tmerrshme.”

 

Akuzat e Berishës për bashkëpunim me partinë socialiste përfshinë edhe kreun e grupit parlamentar, Enkelejd Alibeaj, duke theksuar se çdo kandidat që Alibeaj nxjerr për zgjedhjet lokale është kandidat i kryeministrit Rama.

 

‘Një kandidat një pallat, është 80-90% e vërtetë. Këta janë të tillë, s’kanë asgjë të përbashkët me opozitën.”

 

Nga ana tjetër, Berisha ftoi të gjithë qytetarët t’i bashkohen Partisë Demokratike t’i bashkohen protestës së 6 dhjetorit, e cila sipas tij do të jetë civile, do të respektojë rregullat e mikpritjes për liderët e BE që do të jenë në Tiranë atë ditë dhe nuk do të cenojë rregullat për sigurinë e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re