Sali Berisha thotë se votimet në primaret për të zgjedhur kandidatët për deputetë, shënuan shkëputjen përfundimtare të Partisë Demokratike nga praktikat e errëta të Lulzim Bashës në 8 vitet e fundit.

Berisha ka prezantuar 6 kandidatët fitues të primareve për zgjedhjet e pjesshme vendore të 6 Marsit në 6 bashki të vendit.

“Dëshiroj të falenderoj nga zemra ata mijëra anëtarë të PD që me votën e tyre të lirë bënë historinë. Ata sollën sot këtu para jush për herë të parë në historinë e pluralizmit politk në Shqipëri kandidatë të cilët janë propozuar, votëbesuar, përzgjedhur tërësisht nga anëtarësia e PD.

Këto nuk janë primaret e para. Primaret e para në historinë e PD janë zhvilluar në vitin 2000 me qeveritarët vendorë. Por këto janë primaret e para në të cilën çdo kandidat është produkt dhe atribut i anëtarësisë dhe bazës së partisë. Asnjëri nga këta zotërinj nuk janë kandidatë të Sali Berishës apo të Komisionit të Rithemelimit të PD në kuptimin statutor, pra të propozuarit  e tyre, por janë të gjithë të propozutarit e bazës së partisë.

Kjo është diferenca e madhe, kjo i bën këto primare më demokratiket të zhvilluara në ndonjë vend dhe mund t’u them se dita e djeshme shënoi aplikimin e një standardi të paparë që nuk ka ekzistuar ndonjëherë në Shqipëri. Dita e djeshme shënoi shkëputjen përfundimtare të PD nga praktikat jo transparente të dyshimta, praktikat e errëta të përdorura në 8 vite nga Lulzim brava dhe shënoi mbajtjen e një premtimi të bërë anëtarësisë së PD 4 muaj më parë dhe të sanksionuar në statutin e kësaj partie në Kuvendin e Rithemelimit të datës 11 Dhjetor, të drejtën e anëtarëve për të përzgjedhur përfaqësues të tyre në qeverinë vendore, parlament, në drejtim të PD në degën e tyre por dhe Kryeministrin e tyre.

Kjo garë e djeshme u zhvillua brenda standardeve më të mira të zgjedhjeve të lira. Në këtë garë kanë marrë pjesë 21 kandidatura në rrethet Shkodër, Durrës, Peshkopi, Vorë, Lushnje dhe Rrogozhinë nga të cilat këtu kemi 6 fituesit e garës. Por falenderimin e parë unë do t’ua bëj të gjithë atyre anëtarëve që ushtruan dje të drejtën e votës dhe votuan të lirë për kandidatin që vlerësonin më të mirin.

Një falenderim dua t’u bëj të gjithë atyre kandidatëve të cilët e nderuan garën, e përballuan me dinjitet, ndershmëri dhe përkushtim dhe janë sot të vendosur të punojnë për fitoren e PD në këto bashki. Dua të falenderoj me mirënjohjen më të thellë kandidatët që janë sot këtu para jush për punën e tyre të shkëlqyer dhe besimin që ata merituan nga anëtarësia e PD. I siguroj se ne do bëjmë gjithçka në mbështetje të tyre që më 6 Mars të jenë qytetarë të parë të bashkive në të cilat garojnë”, deklaroi Berisha.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re