Kreu i “Foltores”, Sali Berisha prezantoi këtë të martë kandidatin e tij për Bashkinë e Hasit, Miftar Dautin. Gjatë fjalës së tij, Berisha kërkoi besimin e qytetarëve me zotimin se paratë publike do të përdoren për investime në dobi të tyre.

 

 

“Kandidatët dhe kandidatët tanë janë nuset dhe dhëndurët e lirisë. Ne besojmë se vetëm njeriu i lirë është i aftë të ecë përpara. Ndaj dhe ne mbetemi të vendosur në linjën tonë. Me Miftar Dautin ju zgjidhni një prej bijëve tuaj që mishëron shpirtin tuaj punëtor. Jam i bindur se Dauti votën tuaj do ta kthejë në projekte zhvillimi për ju. Do ta kthejë në një vizion të qartë, në mënyrë që të bëjë Hasin dhe Krumën vende të jetueshme. I gjithë ky entuziazëm, i gjithë ky shpërthim optimizmi ka një arsye tjetër, shumë më të madhe sesa zgjedhjet lokale”, tha ai.

 

Në të njëjtën kohë, Berisha as këtë herë nuk kursye akuzat ndaj kryeministrit Rama, të cilin e akuzon për gjenocid. Berisha theksoi se Rama ka përqendruar të gjitha pushtetet në dorën e tij duke e kthyer vendin në regjim totalitar.

 

Sipas tij, pasojë e këtij monizmi të Ramës është largimi i shqiptarëve.

 

“Ka në dorë çdo gjë në këtë vend, kontrollon të gjitha pushtetet. Për këtë njeri ligjet nuk ekzistojnë, Kushtetuta nuk ekziston. Regjimi i tij është regjimi i një pushtimi të brendshëm. Forma më e shëmtuar e monizmit është monizmi i bazuar mbi krimin, drogën dhe vjedhjen. Ky monizëm po shkreton Hasin dhe Shqipërinë. Po largon shqiptarët nga Shqipëria. Po pakëson këtë popull më shumë se çdo luftë tjetër. Është monizëm genocidal. Sepse në konventën e OKB për genocidin, neni 3 i saj thotë se quhet genocide krijimi i kushteve të kalkulueshme për largimin e njërëzve nga vendi”, tha ai.

 

Kandidatët e Berishës do të futen në zgjedhje nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, pas vendimit të gjykatës për PD zyrtare. Berisha ka theksuar se demokratët nuk duhet të votojnë PD, pasi sipas tij çdo votë për këtë forcë është në llogari të Ramës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re