Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, paralajmëroi nisjen e protestave kundër qeverisë Rama.

 

Gjatë një konference me gazetarët, Berisha listoi çështjen e ish-zyrtarit të FBI Mcgonigal si një prej arsyeve pse opozita ka zgjedhur tubimet si shtyllën kryesore të aksionit të saj politik.

 

SALI BERISHA

 

KRYETAR I PD

 

“Tani kalohet në fazën përfundimtare, në protestën e qëndrueshme deri në rrëzimin e Ramës.”

 

Berisha nuk dha një datë për nisjen e protestave, pasi më parë do të mblidhen forumet. Por sipas tij, shqiptarët nuk do të tolerojnë një kryeministër që ka përdorur ish-zyrtarin e lartë të FBI kundër opozitës.

 

“Edi Rama rekruton në korrupsion McGonigal për ti futur thikën opozitës, për të çimentosur pushtetin korruptiv të Edi Ramës. Edi Rama ka shndërruar Tiranën, zyrën e tij, në çerdhe, në një kënetë të vërtetë korruptive.”

 

Por Berisha akuzoi qeverinë se ka korruptuar edhe ambasadoret e akredituar në Tiranë, duke deklaruar se ambasadorja amerikane Yuri Kim ka gënjyer qeverinë amerikane për shpalljen e tij “non grata”.

 

“Kam arritur të faktoj se është edhe Yuri Kim, e cila ka gënjyer në mënyrë të padenjë qeverinë e vet. Yuri Kim ka nxjerrë së fundmi edhe FBI-në, çka nuk e ka thënë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, dhe unë deklaratat e DASH i besoj.”

 

Kryetari i PD, Berisha, është shfaqur indiferent ndaj vendimit për ta përjashtuar 10 ditë nga parlamenti.

 

“Parlamenti i Lindës dhe i Ramës është Parlamenti i turpit. Të enjten unë do të jem duke përgatitur protestën.”

 

Parlamenti ka përjashtuar sot për 10 ditë kryetarin e PD, Sali Berisha, dhe deputetët Belind Këlliçi, Edi Paloka, Flamur Noka dhe Edmond Spaho, për shkak të bllokimit të seancës plenare të së enjtes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re