Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha akuzoi mazhorancën se përdori seancën e fundit të Parlamentit për t’i marrë opozitës edhe Avokatin e Popullit, duke bërë që përveç Bashkisë së Shkodrës, Partia Socialiste të ketë çdo pushtet në Shqiperi.

 

Gjatë një konference për shtyp Berisha deklaroi se Partia Socialiste rrëzoi çdo kandidat të opozitës për Avokatin e Popullit edhe pse Partia Demokratike kishte paraqitur kandidatura të denja për këtë post.

 

SALI BERISHA

 

KRYETAR I PD

 

“Ajo që patë ju në këtë proces ishte, do të thosha unë, procesi më i turpshëm me të cilin Edi Rama, haptas kërkoi të pushtojë dhe të vetmin institucion që ai nuk e kontrollon.”

 

Berisha komentoi edhe zhvillimet e fundit me dosjen e inceneratorëve. Sipas Berishës, mbyllja e hetimit për inceneratorin e Fierit pa asnjë akuzë për kryetarin e bashkisë së këtij qyteti Armando Subashi, tregon se prokuroria e posaçme nuk po heton përgjegjësit reale të kësaj çështje.

 

“E përjashtojnë nga akuzat dhe marrin në akuzë vartës të tij. Kjo dëshmon se SKAP-u i partisë po zhgërryhet në grazhdin e qindra milionëve të inceneratorëve”.

 

Berisha akuzoi Prokurorinë e Posaçme edhe për rastin e ish-ministrit Arben Ahmetaj

 

 “Nëse ka një binom të pandarë, absolut në aferën e SKAP-it, është binomi Rama-Agaçi, Ahmetaj-Zoto, se të tilla janë veprimet e tyre. Të gjitha këto faktojnë se skap është droguar me paratë e djegësve vetë, ç’ka e bën të pashpresë përfundimisht procesin, një proces hetimi transparent.”

 

Kryetari i PD ka komentuar edhe vizitën  kryeministrit grek në Himarë, duke theksuar se nuk ka dilema për statusin e Himarës

 

 “Kryeministri i Greqisë, i një vendi partner, mik, mund të vizitojë çdo zonë të Shqipërisë, qoftë si zyrtar, qoftë si qytetar privat. Këtu duhet të jemi të çliruar nga çdo kompleks. Mund të vizitojë Himarën dhe çdo zonë tjetër. Por, zhurma se Himara është minoritet është absurditeti më i madh historik. Askush më shumë se himariotët nuk janë larim në gjak për identitetin e tyre kombëtar shqiptar.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re