Lideri i opozitës, Sali Berisha u fokusua sot vetëm tek situata në arsim, duke bërë përgjegjës qeverinë Rama për gjetjet e studimit që “PISA” publikoi pak ditë më parë, ku nxënësit 15-vjeçarë shqiptarë renditeshin të parafundit në rajon.

 

Sipas ish-kryeministrit Berisha rezultatet e këtij studimi dëshmojnë shkatërrimin e sektorit të arsimit në Shqipëri.

 

“Kjo rënie, ka 2 shkaqe themelore. Të parin, korrupsionin, korrupsionin, korrupsionin. Të dytin, kalimin nga arsimi për Shqipërinë në arsimin e partisë. Nga mësuesit për Shqipërinë, në mësuesin e partisë”, deklaroi Berisha.

 

Sipas Berishës për disa vite Shqipëria u vlerësua nga “PISA” gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, arritje që u zhbënë gjatë qeverisjes socialiste. Këto dy arsye kanë bërë që Shqipëria të zbresë më poshtë se niveli i vitit 2009.

 

“Ishte një ngjitje premtuese dhe kjo ngjitje përmbyset në mënyrë katastrofave, zbret nën nivelin e vitit 2009 dhe kjo është dëshmia më flagrante e shkatërrimit, e shpërbërjes së sistemit arsimor, që nga ajo që është një rivdekje e vërtetë e zhvillimit të Shqipërisë”, tha ai.

 

“PISA” është një studim ndërkombëtar që kryhet çdo 3 vjet dhe siguron të dhëna krahasuese mbi performancën e 15-vjeçarëve në lexim, matematikë dhe shkencë. Shqipëria ka shënuar rënie krahasuar me studimin e realizuar në vitin 2018 dhe krahasuar me vendet e rajonit Shqipëria renditet poshtë Serbisë, Malit të Zi e Maqedonisë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re