Ish-kryeministri, Sali Berisha ka akuzuar kreun e qeverisë se po përdor politikisht institucionet e drejtësisë në vend. Në një deklaratë për mediat Berisha nënvizoi se Kushtetuta është shkruar në zyrën e Ramës, por autorët do të mbajnë përgjegjësi.

 

“Kurrë nuk pranojmë si një parti e kushtetushmërisë dhe shtetit ligjor, që një njeri të shkruajë Kushtetutën sipas porosive dhe të bëhet xhelat i Kushtetutës sipas porosive të një njeriu që nuk ka ligj e moral.

Pra, del qartë se e vetmja shkelje ligjore është e atij me tre mercenarë. Bën një puç kushtetues, kundër rendit kushtetues të vendit dhe mendon se Kushtetuta si një defter i tij, mund të përdoret për deputetët e PS, kurse për armiqtë e popullit ajo nuk ka vlerë”, tha ai.

 

Nga ana tjetër, Berisha ka sjellë në vëmendje një tjetër betejë ligjore përballë Ramës, në kohën kur ky i fundit ishte kryebashkiak i Tiranës.

 

“Unë për t’i vënë fre Edi Ramës, bëra dekret, shfrytëzova të drejtën kushtetuese të aktit normativ.

Se ligji i urbanistikës nuk kishte hapësirë. Dhe pasi filloi të ndërtonte si trashëgimi të veten bërdullën e tij tek Zogu i Zi, që ishte shëmtimi më i madh që mund t’i bëhej qytetit të Tiranës, përveçse mbusheshin xhepat e Edi Ramës, kur ndërhyra aty, bëra një dekret me të cilin autorizoja prefektin të anulonte vendimet e Këshillit të Rregullimit të Territorit të Bashkisë.

Edi Rama këtë çështje e ngriti në Strasburg dhe Këshillin e Europës, si një akt që unë i uzurpova autonominë lokale”, tha ai.

 

Berisha ka mohuar akuzat që rëndojnë mbi të, duke akuzuar drejtësinë e re se po përdoret në favor të Ramës.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re