Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Rama për mashtrimet e radhës në komunikimin e tij të së dielës lidhur me marrëdhëniet strategjike me Greqinë dhe “Paketën e Maleve”.
Berisha deklaroi se ekonomia shqiptare është në kolaps, me rënie në prodhim dhe varësi nga ndërtimi, ndërsa ngriti shqetësime edhe për sigurinë ushqimore, që është e dobët.
Ai kritikoi gjithashtu qeverinë për qëndrimet në politikën e jashtme dhe mungesën e reagimit ndaj deklaratave fyese për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut.
Videomesazhi i plotë:
“Të dashur qytetarë dhe qytetare!
Edi Rama në monologun e mashtrimeve të dielës sërish nxorri serialin e tyre pa u skuqur dhe pa u zverdhur. Premtoi se do të realizojë një marrëveshje partneriteti strategjik me Greqinë në një kohë kur, faktikisht, lejoi të skadojë traktati i miqësisë me këtë vend dhe krijoi një seri problemesh madhore të paqena më parë.
Së dyti, ai, në monologun e tij, u rikthye prapë tek paketa e mafies, që ai po e quan ‘paketa e maleve’. Çdo qytetar shqiptar duhet ta dijë se në vitin 2012, në parlamentin shqiptar u miratua ligji sipas të cilit të gjithë ata që investonin në zonat malore të Shqipërisë, do të ishin tetë vite pa asnjë taksë. Një nga ligjet e para që anuloi Edi Rama ishte pikërisht ky ligj dhe tani premton lehtësira për investime në tokën e babës, në një kohë kur me kadastrën e tij ka bërë batërdinë më të madhe mbi pronat dhe pronësinë.
U zotua se paketa e maleve do të jetë një mundësi për banorët në një kohë kur ‘paketën e maleve’ ai e ka zhvendosur në Maminas dhe në zonën bregdetare. Në fjalën e tij premtoi për të gjithë ata që ndërmarrin nismë për të dyfishuar ndërmarrjen e tyre, do ketë lehtësira.
E vërteta është se ekonomia shqiptare është në kolaps, se prodhimi bujqësor dhe prodhimi industrial janë në recesion prej dy-tre vitesh. Ekonomia shqiptare mbahet nga aparati i drogës, sektori i ndërtimit, me një tregues tre herë më të lartë se në Bashkimin Europian. Në fjalën e tij, mashtrim, u ndal tek siguria ushqimore. Siguria ushqimore është pothuajse inekzistente në Shqipëri.
