Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha nderoi sot së bashku me të rinjtë e Partisë Demokratike 8 dhjetorin e vitit 1990 dhe rrëzimin e diktaturës komuniste.

 

Për herë të parë Berisha u shfaq në publik me syze për të mbuluar shenjat e incidentit dy ditë më parë;  një incident që sipas kryetarit të Partisë Demokratike u organizua nga kryeministri Edi Rama.

 

SALI BERISHA

 

KRYETAR I PD

 

“Edi Rama, ky frikacak, nxjerr një kriminel në rrugë dhe gjuan. Një njeri mund të gjuhet, mund të vritet, por kauza nuk vdes kurrë.”

 

Kryetari i PD ashpërsoi tonet duke e cilësuar  shefin e qeverisë Rama si pushtetues të vendit.

 

“Fillon faza e dytë e revolucionit, përballja me këtë armik, me këtë pushtues që ushtron gjenocid mbi Shqipërinë dhe shqiptarët. Koha në fton: aksion, aksion dhe vetëm aksion.”

 

Berisha u bëri apel të rinjve të ngrihen kundër qeverisë duke risjellë në vëmendje se në 8 dhjetorin e vitit 1990  ishin studentët ata që rrëzuan diktaturën komuniste.

 

“Mos harroni se jeni trashëgimtarë të një lëvizje, e cila me një guxim epik, me një guxim në kufijtë e legjendës, u përball në vitet ’90 me diktaturën më të egër staliniste, më çnjerëzore, më barbare, me diktaturën komuniste, e cila në kohën kur bashkëmoshatarët tuaj mbushën sheshin, diktatura vriste ata që niseshin për të arritur në botën e lirë, por mbeteshin nën breshëritë e kallashnikovëve të rojeve të vdekjes. Megjithatë ata të rinj, të udhëhequr nga bashkëmoshatari juaj Azem Hajdari, i shndërruar në një lider legjendar, e gjunjëzuan diktaturën dhe diktatorin.”

 

8 dhjetori është shpallur feste kombëtare për shkak se 22 vite më parë në Qytetin Studenti nisi lëvizja që rrezoi regjimin komunist në Shqipëri. Ikja e dritave për shkak të një defekti në kabinën elektrike shërbeu si katalizator për shpërthimin e revoltës së studentëve kundër diktaturës.

 

Në 8 dhjetor dhjetëra të rinj dolën nga godinat dhe protesta nisi në ambientet e Qytetit Studenti fillimisht me kërkesa ekonomike dhe një prej figurave qe spikati ishte Azem Hajdari. Revolta e studentëve vazhdoi deri sa në 11 dhjetor në mbrëmje, në takimin e zhvilluar në Pallatin e Brigadave mes studenteve dhe Ramiz Alisë, ky i fundit pranoi vendosjen e pluralizmit politik në Shqipëri.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re