Lideri i opozitës Sali Berisha ka sqaruar sot se nuk do të pranojë të marrë në dorëzim vendimin e gjykatës për masën e sigurisë të vendosur ndaj tij. Para gazetarëve ish-kryeministri Sali Berisha përsëriti se gjykata për të vendosur kufizimin e lirisë së tij duhet të merrte më parë autorizimin nga parlamenti, ndaj ai  nuk do të pranojë një vendim që është dhënë në shkelje të Kushtetutës dhe nuk do të paraqitet të hënën e 20 nëntorit para policisë gjyqësore.

 

Berisha artikuloi akuza të ashpra ndaj gjyqtares Irena Gjoka, duke theksuar se ajo është shkarkuar për korrupsion në vitin 1996 kur ai në cilësinë e Presidentit të Republikës drejtonte Këshillin e Lartë të Drejtësisë.

 

 “Ajo nuk është asgjë tjetër veçse një skllave mjerane në shërbim të Edi Ramës. Dhe unë për çdo skllav, kam mëshirë.”

 

Por lideri i opozitës Sali Berisha replikoi në distancë edhe me kryeministrin Edi Rama për  rolin e bashkisë së Tiranës në kthimin e kompleksit “Partizani” në truall ndërtimi. Berisha përmendi vendimin e këshillit të territorit të bashkisë Tiranë në qershorin e vitit 2006, i cili ktheu një pjesë të kompleksit “Partizani” në zonën ku lejohej ndërtimi i pallateve.

 

“Pjesa tjetër, çfarë bëri Edi Rama? Për pjesën tjetër, ia kishte vënë syrin ose e paguanin, mori një studio zvicerane, UrboPlan dhe ajo bëri masterplanin e kësaj zone. Studio bënte masterplanin, Shalsi- i cili ka humbur vetëm në martesën e parë tetë apartamente pas divorcit, është e njohur, dhe e meritonte t’i humbiste plotësisht se asnjë nuk e kishte me djersë- Shalsi bënte dëgjesat. Dhe Edi Rama e la në këtë studim të gjithë zonën, zonë urbane.”

 

Ish-kryeministri Berisha ka sqaruar se ndryshimi i ligjit për sportin, kthente pronën tek pronarët, por pa u ndryshuar destinacionit.

 

“Çfarë thotë ligji i ndryshuar? Neni 31§2 pas ndryshimit: “Objektet sportive privatizohen nga pronarët e truallit, kur ka të tillë, ose në të kundërt, jepen me koncesion, në përputhje me ligjin nr.9663, datë 18.12.2006 “Për koncesionet dhe pjesëmarrjen e sektorit privat në shërbimet publike dhe infrastrukturë”, me kusht që të mos u ndryshojë destinacioni”.

 

Për të gjithë ata që dinë gjuhën shqipe, kuptojmë në fjalinë e parë, ndryshimi u ka mundësuar pronarëve të truallit të qindra terreneve sportive, të mos përjashtohen nga e drejta e privatizimit, dhe të ushtrojnë të drejtën e parablerjes sipas të gjithë ligjeve nga qeveri të majta dhe të djathta.”

 

Prej javësh ish-kryeministri Sali Berisha ka paraqitur argumentet e tij në lidhje me çështjen “Partizani”, duke akuzuar SPAK-un dhe kryeministrin Edi Rama se po zhvillojnë gjyq politik ndaj tij.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re