Portali i familjes Berisha, që është vënë në mbështetje të hapur të Armando Dukës, ka sulmuar ashpër “Zërin e Amerikës”.

Kjo, pasi sipas familjes, “Zëri i Amerikës” ka shtrëmbëruar të vërtetën e asaj që po ndodh, me raportimet e veta.

“Publikimi i skandalit të audio-përgjimit të Erion Veliajt tronditi opinionin publik.

Por ndërsa priteshin reagimet për përgjimin, ku Veliaj shfaqet duke kërcënuar, duke bërë shantazhe dhe duke fyer, Zëri i Amerikës bëri një raportim të shkurtër.

Ndërsa pritej të thuhej ndonjë fjalë për faktin se Erion Veliaj po kryente disa vepra penale me ndërhyrjet e tij në proces zgjedhor me kërcënime dhe shantazhe, asgjë e tillë nuk shfaqej në kronikë.

Normalisht mund të pritej që Zëri i Amerikës, i financuar me paratë e taksapaguesve amerikanë, njësoj si reforma në drejtësi, të shprehet shqetësim për faktin se Erion Veliaj po e përdor SPAK si kamxhikun e tij personal, por sërish asgjë.

Në kronikë thuhej se ‘përveç fjalorit të papërshtatshëm, zoti Veliaj ngriti akuza të rënda ndaj zotit Duka’.

Pra problemi më i rëndë për VOA qenka fjalori prej rrugaçi.

Por gjithçka u rëndua edhe më shumë kur ndodhi shpërthimi i tritolit në banesën e Dukës, një akt tronditës.

Në një raportim të thatë në fillim, Zëri i Amerikës shkruan se nuk pati dëme materiale. Njësoj si mediat e Karlo Bolinos, edhe VOA shkruan se Duka ishte i qetë, duke krijuar një insinuatë të turpshme.

Por kulmi arrinte më pas. Pa përmendur sërish audiopërgjimin skandaloz të Erion Veliajt, Zëri i Amerikës raporton se “prokuroria njoftoi se kishte nisur ndaj tij për shkak të dyshimeve mbi abuzime të mundshme me fondet e UEFA-s”.

Në fakt, vetëm pak më herët, Prokuroria e Tiranës e kishte rrëzuar këtë lajm që u përhap me shpejtësi në mediat pranë Ramës, Veliajt dhe Bashës.

Drejtuesja e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj tha për BIRN se në Prokurorinë e Tiranës ishte regjistruar që prej nëntorit të vitit të kaluar një kallëzim ndaj FSHF-së i bërë nga një përmbarues, në të cilin ngrihen pretendime për shpërdorim detyre, por se nuk kishte persona të akuzuar”, thuhet në shkrimin e portalit të familjes Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re