Ish lideri i PD, Sali Berisha, nisi fushatën elektorale për kandidatin e opozitës për Bashkinë Kukës, Emri Vata. Në një takim me biznesë të Kukësit, Berisha akuzoi qeverinë se ka rritur taksat duke dëmtuar biznesin, por edhe qytetarët.

 

“Kjo situatë merr fund. Ne rikthehemi në standardet më të mira të prokurimeve, rikthehemi te një luftë me zero tolerancë ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar. Rikthehemi gjithashtu, e them këtu, te një shpërndarje shumë më e drejtë e të ardhurave në Shqipëri”, u shpreh ish-kryeministri.

 

Sipas tij, vendin e ka kapluar krimi, i cili në bashkëpunim me qeverinë përfitojnë në kurriz të popullit. Ai solli rastin e biznesmenit Pëllumb Gjoka, ndaj të cilit hedh akuza të forta.

 

“Pëllumb Gjoka dhe shumë investitorë strategjikë të Ramës janë si Pëllumb Gjoka marrin një thes me euro droge, shkojnë dhe marrin 200 mijë-300 mijë metër. Pëllumb Gjoka ka marrë 300 mijë metër katrorë tokë në Velipojë, vrau të moshuarën 90 vjeç dhe i mori tokën me Ramën. Dhe përjashtohet nga taksat dhe detyrimet, ndërton parajsën e tij të tërën mbi drogë, kurse këtu të gjitha këto mrekulli të natyrës mbeten me investime të rralla”, tha Berisha.

 

Berisha kërkoi votëbesimin e qytetarëve të Kukësit për kandidatin e tij, në zgjedhjet e 24 shtatorit.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re