Kryetari i grupit parlamentar të PD Enkelejd Alibeaj ka përjashtuar sot nga partia 4 deputetë demokratë.

 

Gazetarëve iu është shpërndarë njoftimi se Enkelejd Alibeaj  ka larguar nga partia Oerd Bylykbashin, Belind Këlliçin, Agron Shehajn dhe Tritan Shehun.

 

Si pretekst për largimin ka shërbyer pjesëmarrja e tyre në protestën e 8 janarit të një viti më parë.

 

“Sot, më datë 10.01.2023, ka përfunduar afati 1 vjecar për distancimin e plotë dhe publik nga aktet e dhunës ndaj Partisë Demokratike të deputetëve të pezulluar Tritan Shehu; Oerd Bylykbashi; Belind Këllici dhe Agron Shehaj. Në mungesë të aktit të distancimit, nga sot hyn në fuqi masa e largimit zyrtarisht të tyre nga Grupi Parlamentar. “

 

Në fakt përjashtimi i 4 deputetëve nuk ka lidhje me protestën e 8 janarit, por me betejën për të marrë kryetarin e grupit parlamentar.

 

Në mesin e muajit dhjetor deputeti Ervin Salianji ka nisur një lëvizje për të shkarkuar Enkelejd Alibeajn dhe për tu bërë kryetar grupi. Për të marrë drejtimin e grupit ai ka nevojë për mbështetjen e 21 deputetëve dhe ka siguruar firmat e 16 deputetëve të Sali Berishës.

 

Mësohet se sot ai ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për të shkarkuar Alibeajn, duke u bërë kryetar grupi dhe duke i dhënë Sali Berishës grupin parlamentar.

 

Kampi tjetër i drejtuar nga Enkelejd Alibeaj për të mos humbur shumicën e grupit, ka vendosur të përjashtojë 4 deputetë të PD, në mënyrë që Alibeaj të mbetet kryetar grupi.

 

Vendimi i Alibeajt duket se ka sjellë reagime të forta mes deputetëve që e kanë mbështetur deri dje.

 

Ne nje reagim në rrjetet sociale Flutura Açka ka kundërshtuar vendimin duke theksuar se të 4 deputetët i bëjnë nder grupit parlamentar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re