Ish-kryeministri Sali Berisha nuk e përjashtoi mundësinë që dy partitë e drejtuara nga ish-funksionarë të PD-së mund të dëmtojnë interesat elektorale të opozitës në zgjedhje. Por, Berisha shtoi se si Jozefina Topallit ashtu edhe Astrit Patozit i është bërë ftesë për bashkëpunim.

“Mirë do të ishte që të ishin në koalicion por ata refuzuan. Znj. Topalli edhe para krijimit të partisë me statut ishte anëtare e Këshillit Kombëtar të PD, pastaj krijoi partinë e saj dhe refuzoi pasi deshi të provohet”, – tha ai.

“Mund ta dëmtojnë PD nuk mund të them që jo por kanë bërë zgjedhjet e tyre. Çdo parti tërheq vota, nuk di parti që futet në listë dhe nuk tërheq vota. Por se sa nuk di”, – shtoi ish-kryeministri.

Berisha gjithashtu nuk përjashtoi mundësinë që znj. Topalli apo z. Patozi të marrin mandat në zgjedhjet e 25 prillit.

“Nuk kam ndonjë parashikim të tillë por mundësitë janë të hapura”, – tha ish-kreu i PD.

Ndërkohë ai e cilësoi absurd kushtin e vendosur prej tyre për bashkëpunim pas zgjedhjeve, duke kërkuar largimin e Lulzim Bashës nga drejtimi i PD.

“Këtu dua t’u them një fjalë nëse t’i i thua fitimtarit që të vij unë ik ti, nuk është e mirë studiuar. Fituesit të zgjedhjeve i thuhet jam i gatshëm që të shtrijë dorën për bashkëpunim por nuk mund t’i thuash ik ti që të vij unë”, – tha Berisha.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re