Lideri i opozitës, Sali Berisha, ka paraqitur sot pamje filmike, të cilat sipas tij faktojnë manipulimin e zgjedhjeve për bashkinë Kamëz. Në pamjet e marra nga kamerat e vendosura në 6 qendra votimi duket se në 240 raste, votimi ka qenë i parregullt.

 

Nga këto pamje, në një rast duket se komisionerja e PS voton në vend të qytetarëve.

 

SALI BERISHA

 

“Rasti i komisioneres së PS, Ilva Marku, e cila ngrihet dhe voton për votuesit. Kjo është një militante e thekur, një kriminele elektorale në qendrën e votimit.”

 

Në një moment tjetër në pamjet e publikuara nga PD, ka moment të votimit familjar dhe në një rast duket që operatori që është përgjegjës për pajisjen, voton në vend të qytetarëve.

 

“Në këto gjashtë qendra, janë gjetur 240 ndërhyrje manipulative në të cilat rasti i operatorit Haxhi Gusja, voton vetë me disa karta identiteti në qendrën e votimit 1577/1 në Valias.”

 

Berisha ka premtuar se opozita do të verifikojë çdo qendër votimi në Kamëz e në Elbasan, për të faktuar sipas tij që zgjedhjet e 14 majit ishin të parregullta.

 

“Ne po bëjmë çdo gjë për t’u paraqitur shqiptarëve kriminalizimin e plotë të farsës elektorale 2023.”

 

Nga ana tjetër lideri i opozitës, Sali Berisha, edhe pse ka folur për bashkim brenda PD, ka refuzuar idenë e hedhur nga disa deputetë për drejtim kolegjial të Partisë Demokratike për një periudhë tranzitore.

 

“Idenë e drejtimit kolegjial e ka dhënë për herë të parë guvernatorja Yuri Kim. Idetë e saj i konsideroj shkatërrimtare për opozitën. Unë di që drejtimi i forcës politike dhe çdo force politike buron nga gara e hapur dhe e ndershme, për të cilën nuk kam asnjë rezervë. “

 

Berisha ka reaguar edhe ndaj lirimit nga burgu të ish-Ministrit të Brendshëm të qeverisë Rama, Saimir Tahiri.

 

“Saimir Tahiri u lirua me urdhër të Edi Ramës me ultimatumin që i çoi se është dita e durimit, përndryshe do zbërthej të gjitha lidhjet e Olsit dhe Edit me bandat që nga Meksika deri në Afrikë të Jugut.”

 

Ish-Ministri i Brendshëm, Tahiri, ka qenë një prej politikanëve më të sulmuar nga opozita, e cila e ka akuzuar për kanabizimin e vendit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re