Kryerepublikani Fatmir Mediu deklaron se janë në bisedime me Partinë Demokratike
Para se legjislatura e re te trokasë Sali Berisha duhet të zgjidhë ekuacionin me aleatët historik të cilëve iu siguroi një ulëse të sigurtë në Kuvend, por që presin që kryedemokrati t’i ndihmojë edhe më krijimin e një grupi kuvendor.
Pak ditë pasi në Top Channel numri dy i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi konfirmoi krijimin e grupit parlamentar te Metës, kryerepublikani Fatmir Mediu deklaron se janë në bisedime me Partinë Demokratike për të krijuar edhe grupe te tjera opozitare. Jo vetëm Ilir Meta, edhe aleatët historik të Partisë Demokratike presin që Sali Berisha t’u bëjë nderin e fundit.
Në prag të legjislaturës së re, Fatmir Mediu konfirmoi bisedimet me Partinë Demokratike qe mban hapur merkaton e transferimit te deputeteve brenda kampit opozitar. Për kryerepublikanin konfigurimi i opozitës në Parlament bëhet jo vetëm për qëllim te përfitimit te benefiteve që gëzojnë grupet kuvendore.
Sali Berisha duhet të nxitojë t’i japë zgjidhje jo vetëm dilemës se grupeve kuvendore, por edhe raportit që Partia Demokratike do ketë me Kuvendin e ri që në bindjen e kryedemokratit është produkt i një farse elektorale.
Por, në një kohë që demokratët janë ende të paqartë për aksonin e shtatorit, jashtë oborrit blu, idetë nuk mungojnë se cila duhet te jetë marrëdhënia e opozitës më parlamentin.
Koalicioni opozitar ia doli të sigurojë vetëm 50 mandate ne zgjedhje. Sali Berisha vendosi ti strehojë në listë të sigurtë aleatët, të cilët nëse bëheshin të gjithë bashkë, arrinin numrin 7, që përbën kuotën minimale për formimin e një grupi parlamentar, por doktori vendosi që nderin me te madh t’ia bëjë Ilir Metës.
Ekuacioni për krijimin e grupeve te tjera vështirësohet pasi krahas republikaneve dhe agrarëve, aleanca e Partisë Demokratike përfshin edhe përfaqësuesin e grekëve, Vangjel Dule dhe Mesila Dodën e çamëve.
