Ish-kryeministri Sali Berisha nga Librazhdi u ka bërë apel qytetarëve, që në 14 maj të votojnë për të ardhmen e tyre, jo për liderët politikë në vend.

 

Ndërsa prezantoi kandidatin për këtë bashki, Shefki Cota, Berisha theksoi se në zgjedhjet lokale qytetarët vendosin për të ardhmen e bashkive të tyre.

 

SALI BERISHA

 

“Nuk janë zgjedhje këto as për Sali Berishën, as për Edi Ramën, por janë mbi të gjitha zgjedhje për ju, për çdo qytetar. Janë për interesat tuaja, për dinjitetin tuaj, për mirëqënien tuaj.”

 

Berisha ka sjellë shembullin e pagave, për t’u shpjeguar qytetarëve se në zgjedhje vendoset e ardhmja e tyre.

 

“Ndodhi që rrogat u ngrinë, por çmimet nuk u ngrinë. Çmimet në kushte tregu nuk i ngrin dot njeri. Çmimet u rritën nga viti në vit, dhe sot është shumë e dhimbshme. Vetëm nga rritja e çmimeve vitin e kaluar, nga viti 2021-2022, çdo pensionist ka lënë dy pensione për ushqime më shumë se dy vite më parë. Ka shpenzuar, sipas ekonomistëve të pavarur, 430 mijë lekë ushqime më shumë. Sepse është dyfishuar çmimi i djathit, qumështit, mishit, zarzavateve, etj.”

 

Sipas Berishës, arsyeja për situatën e vështirë ekonomike është korrupsioni i qeverisjes socialiste.

 

“Ju e dini autostradën Elbasan-Tiranë, dhe e dini që u inaugurua në vitin 2013, përveç një segmenti 7 kilometra, Ibë-Farkë. Rruga u prokurua e tëra për t’u dorëzuar përfundimisht me 255 milionë euro, përfshi tunelin. Sa ka shkuar rruga thoni ju? Rruga ka shkuar 430 milionë euro. Ato 7 kilometra, pra kanë kushtuar 180 milionë euro. Po si mund të kushtojnë? Kushtojnë vetëm duke vjedhur e vjedhur të papërmbajtur!”

 

Sipas Berishës, edhe gjuha e përdorur nga kryeministri Edi Rama në fushatë, është një mënyrë për t’i shpëtuar përballjes me qytetarët.

 

“I bëri premtimet, ju kujtohet. Në vitin 2013, u tha shqiptarëve për dy gjëra do përgjigjem personalisht. Ujë 24 orë dhe legalizime brenda këtij mandati. Ja ku është uji, ja ku janë legalizimet. Vetëm mashtrime. Tani përpiqet që të gjithë kërkesën e llogarisë që çdo njeri ia bën atij, ta bllokojë me banalitet, me vulgaritet, duke folur zorra qorre, zorra e trashë, zorra e hollë. Si një zorraxhi, se ky është problemi i qytetarëve.”

 

Berisha u bëri apel qytetarëve të votojnë Shefki Cotën dhe koalicionin “Bashkë Fitojmë”, për një të ardhme më të mirë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re