Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka shënjestruar ambasadoren amerikane në Tiranë, Yrui Kim duke e krahasuar atë me ish-zyrtarin e FBI-së McGonigal.

 

Nga takimi më grupin parlamentar, Berisha tha se Yuri Kim nuk ka mbajtur një qëndrim në lidhje me hetimin ndaj McGonigal dhe lidhjet e tij me qeverinë shqiptare.

 

Sipas tij, Yuri Kim përveçse ka heshtur, ka bërë manipulime kundër opozitës në vend.

 

“Por duhet të jemi të hapur. Tre persona kanë heshtur deri më sot me kodin e heshtjes. Ky është Edi Rama. Siç e dini bëri vetëm sqarimin e vetëm se e kam pasur mik në anglisht dhe jo në shqip.

Në kod, kjo ishte mos fol se nuk do të flas. Nuk foli Lulzim Basha, dhe kur foli, përsëri me kod. Nuk përmendi dot as emrin e Edi Ramës, pengmarrësit, as të McGonigal. Shikoni se çfarë luhet në kurriz të shqiptarëve. Nuk foli as guvernatorja Kim, e cila në raport me opozitën është një McGonigal me fustan.

Ajo shkelmoi Kushtetutën e vendit të saj, shkelmoi Konventën e Vjenës. Këto nuk mund të jenë kurrë orientime të Amerikës së vlerave, të Amerikës së ligjeve. Të SHBA, që udhëheqin me moralin dhe frymën e tyre.

Sulmet ndaj opozitës, të McGonigal-it me fustan, krahasuar me McGonigal-in me kollare, si mekanizëm njëri u mor me manipulimin, por nuk është marrë me më pak manipulime kundër opozitës zonja Kim. Duke thirrur deputetët për t’i përpunuar dhe manipuluar. Nuk është marrë me më pak manipulime duke i dërguar Sali Berishës mesazhe kërcënuese të turpshme. Nuk është marrë me më pak manipulime duke përdorur citate të Enver Hoxhës kundër popullit opozitar.”- tha Berisha.

 

 

Kryedemokrati shtoi më tej se ambasadorja Kim ka mbështetur pa kushte ministrave të Edi Ramës, sipas tij të korruptuar.

 

 

“Nuk mundet kurrsesi të etiketosh atë ndryshe përveçse McGonigal me fustan. Kujtoni mbështetjen pa kushte që u jepte ministrave të korruptuar të Edi Ramës. Miqve të McGonigal. Kujtoni pak marrëdhëniet e saj me Edi Ramën dhe Erion Veliajn, marrëdhënie të bazuara vetëm në dosje reciproke. E kam denoncuar dhe do i qëndroj deri në fund kësaj.”– shtoi Berisha në mbledhjen me grupin parlamentar të PD.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re