Prej disa ditësh, Sali Berisha ka sulmuar Ambasadën amerikanë në Tiranë nëpërmjet portalit të të birit, duke e akuzuar atë se ka fshirë fotot e vizitës historike të ish-sekretarit Xhejms Bejker në Shqipëri, 30 vite më parë.

Berisha akuzonte Ambasadën se po retushonte historinë, duke e hequr atë nga fotografitë e publikuara gjatë vizitës së Bejkerit në Tiranë.

Madje, Berisha arrinte deri aty, sa të akuzonte Ambasadën e SHBA, se po ndikon në rikthimin e komunizmit në Shqipëri, duke fshirë atë nga historia dhe duke mbështetur Edi Ramën, akuzë kjo e bërë edhe nga aleati i tij Ilir Meta, para zgjedhjeve të 25 prillit.

Dhe, duke qenë se Ambasada e SHBA e ka injoruar pakënaqësinë e Berishës, ky i fundit është detyruar këtë të premte të hapë arkivat dhe të gjejë dy foto me Xhejmë Bejkerin, të cilat i ka botuar në rrjetet sociale.

“Miq, ju pershendes me keto dy foto me mikun e madh te shqiptareve, Sekretarin Baker. E para ne vitin 1991 ne Tirane dhe e dyta ne vitin 2013 ne Londer”, shkruan Berisha.

Të paktën qetëson ata pak mbështetës që i kanë mbetur, se këto foto në ditët e sotme nuk kanë ndonjë domethënie të madhe për fatin e tij, pas shpalljes non grata nga SHBA si një person i korruptuar dhe që ka minuar demokracinë shqiptare përgjatë viteve.

(TemA)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re