Home SHQIPERIA BERZH dhe BE dhurojnë qindra pemë për Tiranën/ Veliaj: Jemi ende larg objektivit 2 milionë fidanë

BERZH dhe BE dhurojnë qindra pemë për Tiranën/ Veliaj: Jemi ende larg objektivit 2 milionë fidanë

0
BERZH dhe BE dhurojnë qindra pemë për Tiranën/ Veliaj: Jemi ende larg objektivit 2 milionë fidanë

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Tre partnerë ndërkombëtare siç janë Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), Bashkimi Europian si dhe qeveria e Austrise janë bërë pjesë programit për një ekonomi të gjelbert në Ballkan. Ata kanë dhuruar 180 pemë të llojit frashër për kryeqytetin.

 

“Jemi ende larg 2 milion pemëve që kemi paracaktuar për të mbjellë deri në 2030, por ama kemi një lajm të mirë nga BERZH-i: Është miratuar parimisht një kredi për Bashkinë e Tiranës që këto mbjellje t’i bëjmë masive. Patjetër që çdo pemë është e rëndësishme, edhe kur një fëmijë mbjell pemë për ditëlindje, edhe kur dikush mbjell pemë për të kujtuar një gjysh apo një gjyshe, por mbjelljet masive, si këto që mbollëm sot 180 copë, na e bënë më të lehtë punën”, u shpreh kryebashkiaku Veliaj.

 

Gjatë këtij aktivitetit Veliaj e vuri theksin edhe tek pastrimi i qytetit.

 

“Ne nuk duam të jemi 99% të pastër, ne duam të jemi 100% të pastër. Ne nuk duam të jemi gjysmë të gjelbër, duam të jemi 100% të gjelbër. E gjitha kjo nis me punën që bëjmë përditë. Kjo zonë dikur ka qenë komplet e djerrë. Fakti që sot po konturohet Pylli Orbital, nuk do të habitesha nëse nesër ky vend të kthehet në një hapësirë për shëtitje, vrap dhe ecje me biçikletë”, nënvizoi kryebashkiaku.

 

Për partnerët e huaj, investimi drejt një Tirane më të gjelbër i shërben edhe uljes së konsumit të energjisë dhe rritjes së cilësisë së jetesës.

 

 “Përmirësimi i efiçencës së energjisë çon në konsum dhe fatura më të ulëta të energjisë dhe në përgjithësi cilësi më të mirë të jetesës dhe ne jemi të kënaqur që familjet në Shqipëri kanë qenë në gjendje t’i ndiejnë këto përfitime falë programit tonë GEFF,” u shpreh Drejtoresha e BERZH-it në Shqipëri, Ekaterina Solovova.

 

Programi për Financimin e Ekonomisë së Gjelbër nga BERZH, BE dhe Austria ka mbështetur në katër vitet e fundit mbi 9,000 familje për të përmirësuar efiçiencën energjetike duke ofruar linja të specializuara kredie dhe fonde granti për investime në teknologjitë e gjelbra me vlerë mbi 45 milionë euro.

 

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë