Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë ka gjobitur me 1.000.000 lekë pronarin e lokalit ku u organizua ditëlindja e aktorit Bes Kallaku në shkelje të rregullave anti-Covid si dhe ka pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit.

Gjithashtu policia bën me dije se në bazë të pamjeve filmike janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesëmarrës në aktivitetin e zhvilluar dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese anticovid-19.

Në këtë festë të organizuar nga Kallaku ishin të pranishëm edhe presidenti, Ilir Meta si dhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, që sipas policisë do të ndëshkohen me masë administrative.

Në një kohë kur komiteti teknik i Ekspertëve ka ndaluar grumbullim e më shumë 10 personave, organizimeve festive si dhe ndalimin e qarkullimit pas orës 22:00, çifti Meta duket se nuk pyet për rregulla.

Edhe pse ky çift duhet të ishte shembull për qytetarët, ata bëjnë krejtësisht të kundërtën me funksionet e larta shtetërore që mbajë dhe përgjegjësitë që kanë.

Njoftimi i Policisë:

Në lidhje me aktivitetin e zhvilluar më datë 20.11.2020 në një lokal në fshatin Laknas, Bashkia Kamëz, ku shtetasi B.K, kishte organizuar një ceremoni ditëlindje dhe kishte ftuar rreth 30 persona, Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë menjëherë mori masa në zbatim të Aktit Normativ, për parandalimin e përhapjes së COVID-19.

Nga ana e Policisë së Tiranës, u mor masa administrative 1.000.000 lekë për administratorin e lokalit shtetasin F.U., në bazë të aktit normativ nr 3 datë 15.03.2020.

Gjithashtu në bazë të pamjeve filmike janë identifikuar të gjithë personat që ishin pjesmarrës në aktivitetin e zhvilluar dhe do ndëshkohen me masë administrative për shkelje të masave kufizuese anticovid-19.

Njëkohësisht Drejtori i DVP Tiranë ka pezulluar nga detyra 6 punonjës Policie për moskryerje të kontrollit të territorit dhe ndaj tyre Drejtoria e Standarteve Profesionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit ka nisur ecurinë disiplinore për shkelje të rëndë .

Drejtoria Vendore e Polcisë Tiranë apelon për të gjithë administratorët e lokaleve dhe qytetarët që të respektojnë me korrektësi masat anticovid duke bërë të mundur shkëputjen e zinxhirit të infektimit nga virusi dhe fton qyetarët që të denoncojnë në 112 e Komisariatin Dixhital cilindo administrator lokali apo qytetar që nuk i respekton këto masa kufizuese duke u kthyer në burim rreziku për shëndetin e qytetarëve. ()

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re