Kush do ta përfaqëson opozitën shqiptare në Komisionin Shtetëror Zgjedhor dhe çfarë do të ndodhë me grupin parlamentar të Lëvizjes BESA në Maqedoni? Këto janë dy pyetje që do të hapen pasi që Lëvizja BESA në krye me Afrim Gashin ditën e premte edhe zyrtarisht do të bëhet pjesë e qeverisë.

Një vend i KSHZ-së gjithmonë është i rezervuar për partinë më të madhe opozitare shqiptare, por kësaj radhe rezultati është i njëjtë ndërmjet Aleancës për Shqiptarët dhe grupit të kryetarit të mëparshëm të Lëvizjes BESA, Bilall Kasamit i cili përfaqëson dy deputetë të shkëputur por që kanë vendosur të mbeten opozitë.

Për momentin, anëtare e KSHZ-së nga grupi parlamentar i Lëvizjes BESA është Ermira Asani Salija.

Ndarja e BESËS është problem edhe për Kuvendin, me ç’rast u prononcua edhe kryetari Talat Xhaferi duke thënë se duhet të gjindet zgjidhje sepse nuk mundet një pjesë e deputetëve nga grupi i njëjtë parlamentar të jenë pjesë e shumicës parlamentare, ndërsa pjesa tjetër opozitë.

Deputeti Fadil Zendeli nga grupi i Kasamit ka deklaruar se ai dhe kolegia e saj deputete, Teuta Bilalli tani më janë deklaruar që në Kuvend do të veprojnë si opozitë dhe nuk do të votojnë për hyrjen e BESËS së Afrim Gashit në qeveri.

Në ndërkohë, nga BESA e Gashit thonë që parimisht presin të përfundojë rikonstruimi i qeverisë e caktuar për të premten, e pastaj do të gjejnë zgjidhje për këto probleme. Në parti tanimë është diskutuar për zgjidhjet e mundshme, kanë edhe propozime në tavolinë, por do të shqyrtohen nga java e ardhshme.

Kujtojmë se Lëvizja BESA në zgjedhjet e fundit parlamentare ka fituar 5 deputetë, por që pas zgjedhjeve lokale Kryesia Qendrore e kësaj partie shkarkoi nga pozita e kryetarit Bilall Kasamin.

Kasami i pakënaqur me këtë vendim të Kryesisë Qendrore si organ më i lartë partiak mblodhi një grup njerëzish së bashku me dy deputetë, Fadil Zendelin dhe Teuta Bilallin dhe organizuan Kongres parallel duke u vetëshpallur kryetar legal i Lëvizjes BESA.

Se kujt në të vërtetë do t’i takojë legaliteti i partisë mbetet të presim vendimin e Gjykatës, por pas futjes së grupit të Gashit në qeveri, gjasat janë të mëdha që pikërisht ky grup të fitojë vulat zyrtare.

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re