Ministrja e Arsimit Besa Shahini, bashkë me përfaqësuesin e UNICEF Albania, Roberto de Bernardi, ka prezantuar masat anti-Covid në shkolla me nisjen e vitit të ri shkollor 2020-2021.

Shahini këshilloi fëmijët të jenë të vëmendshëm me mësimet e prapambetura por edhe me masat anti-covid për të mbrojtur veten dhe të tjerët.

Ajo deklaroi se në çdo kat do të ketë një mësues kujdestar që do të monitorojë lëvizjet e nxënësve për të shmangur grumbullimet e tyre.

“Ne kemi vendosur që për këtë fillim të vitit shkollor të hapim shkollat sepse e kemi parë të rëndësishme që nxënësit të kthehen në ambientet shkollore duke ruajtur shëndetin e tyre. Është organizuar hyrja me distancë, matje të temperaturës në hyrje dhe dalje.

Është e rëndësishme që ata të mbajnë distancën edhe në kohën kur janë në shkollë. Në çdo kat do ketë mësues kujdestar që do ndihmojë nxënësit të lëvizin për të evituar grumbullimin e tyre duke ruajtur distancën. Duhet të ruajmë shëndetin tonë, maskat duhet t’i mbani gjithë kohës”, u shpreh Shahini.

Roberto de Bernardia përsëriti tre sjelljet kryesore për mbrojtjen nga koronavirusi, duke e cilësuar hapjen e shkollave një hap të rëndësishëm për vendin dhe fëmijët.

“Falenderoj Shahinin që organizon këtë aktivitet. Të gjithë e dimë që këto janë kohë të vështira prandaj ju po i zbaton këto masa. Rikthimi në shkollë është i rëndësishëm. E përsëris kur jeni ulur në bankë mbani distancën, përdorni dezinfektues dhe vendosni maskën.

Hapja e shkollave është diçka e rëndësishme për vendin dhe fëmijët. UNICEF ka bashkëpunuar për të siguruar xhelët, posterat sensibilzues. Kemi siguruar edhe një pajisje digjitale për mësimin online dhe njëkohësisht kemi mbështetur me prodhimin e kurseve online, kurrikula etj”, tha ai.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re