Procesi për anëtarin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Besnik Cani nisi me shtyrje mëngjesin e kësaj të mërkure në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit. Seanca për Canin, për të cilin Komisioneri Publik kërkon shkarkim nga detyra, ishte planifikuar të mbahej në 8 janar.

Por relatorja e seancës njoftoi se të martën kanë marrë një kërkesë për shtyrjen e seancës për t’i dhënë kohë për t’u përgatitur avokatit të Besnik Canit, Eduard Halimi. Sipas prokurorit, Halimi ndodhet jashtë vendit për festat dhe e ka të pamundur të kthehet para datës 9 janar. Një tjetër arsye që u bë shkak për shtyrjen e seancës ishte edhe ndarja nga jeta e xhaxhait të Besnik Canit.

Prokurori sqaroi në seancë se xhaxhai i tij ka ndërruar jetë dje dhe kërkoi që të ishte i pranishëm në ceremoninë mortore. Kolegji i Posaçëm Apelimit pranoi kërkesën e tij, duke e shtyrë seancën për në datën 20 janar. Besnik Cani u konfirmua në detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në nëntor të vitit 2018, duke ju hapur kështu rruga për t’u zgjedhur edhe anëtar në KLP.

Por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit vuri në lëvizje Komisionerin Publik dhe rekomandoi ankimin e vendimit të KPK. Komisioneri Publik e pranoi në shkurt të 2019 kërkesën e ONM dhe e dërgoi çështjen e Canit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Prokurorit i hapi telashe pasuria e tij, pasi sipas Komisionerit Publik, ai ka përfituar nga Bashkia e Fierit një kredi të butë pa të drejtë, në një kohë kur ushtronte profesionin e prokurorit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re