Ashtu siç paralajmëroi një ditë më parë, Besnik Muçi duket se nuk do të njohë vendimin e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për shkarkimin e tij nga detyra.
Si çdo ditë tjetër, edhe sot ai është paraqitur në Gjykatën Kushtetuese në cilësinë e anëtarit të kësaj gjykate.
Të enjten, Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkoi nga detyra ish-prokurorin e Krimeve të Rënda, i dekretuar nga presidenti i Republikës si anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Trupi gjykues çmoi se subjekti i rivlerësimit është në kushtet e deklarimit të pamjaftueshëm të pasurisë dhe nuk mund të gëzojë besimin e publikut për të qëndruar në detyrë.
Por një vendim i tillë konsiderohet nul nga Muçi, i cili thotë se në momentin që ka bërë betimin si anëtar i Gjykatës Kushtetuese, ky vendim nuk ka më efekt.
“Kam zgjedhur dhe kam ushtruar detyrën e prokurorit për 17-18 vjet, mëkati i vetëm që bëra para dy vitesh ishte se aplikova për anëtar në Gjykatën Kushtetuese, mendoja se i plotësoja kriteret.
Mëkatin tjetër e bëri Ardian Dvorani që më listoi të tretin në listë. Mëkatin tjetër e bëri presidenti Ilir Meta që më emëroi anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Ku qëndron problem im në këtë situatë. Çfarë mund të bëjë një jurist që ka punuar me pasion dhe kërkon të bëjë karrierë duke respektuar në mënyrë maksimale procedurat institucionet ndërkohë që ndodhem në këtë siuatë ku po mundohem të analizoj vendimin e Kolegjit të Posacëm të Apelimit”, u shpreh Muçi.
Gjithsesi, trupa gjykuese saktësoi që në fillim se Muçi e nisi procesin si prokuror dhe e përfundoi si gjykatës.
Vendimi i KPA-së u kundërshtua edhe nga presidenti Meta, i cili e konsideroi “vetting të partisë”.
Duke mos i bindur vettingut, Besnik Muçi pas shkarkimit, tani rrezikon edhe burgun.
Kodi Penal, në nenin 249 të tij, për rastet e vijimit të detyrës nga ana e personave që janë vënë në dijeni se nuk duhet ta ushtrojë atë detyrë, ka parashikuar deri në një vit burg.
“Neni 249: Kryerja e funksionit pas dhënies fund të tij
Vazhdimi i ushtrimit të funksionit shtetëror apo të shërbimit publik nga ana e personit që është vënë në dijeni të vendimit apo rrethanës që u ka dhënë fund ushtrimit të tyre, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit”, nënvizohet në Kodin Penal në këtë rast.
Kështu që Besnik Muçi, përpos përjashtimit nga sistemi i drejtësisë nga ana e KPA, nëse vijon me këmbëngulje të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për të ushtruar detyrën e anëtarit, mund të përballet me sanksionin ligjor, pasi po kryen vepër penale.
()