Zgjedhjet lokale të pjesshme më 6 mars, do të jenë një test për “Foltoren” e Sali Berishës si dhe për kreun e PD Lulzim Basha. Kështu u shpreh ish-ministri i Jashtëm Besnik Mustafaj në “Radarin Informativ” në Abc. Sipas tij këtë test duket se nuk po e vlerësojnë sa duhet sepse ende nuk kanë dhënë shenjë nëse do të jenë të bashkuar përballë PS në disa bashki apo nëse do të sfidojnë njëri-tjetrin.

“Ky është test për Foltoren, Berishën dhe për Bashën. Mua më duket që s’po e vlerësojnë sa duhet këtë test, sepse s’po japin shenjë sa janë shanset që në bashki të caktuara të shkojnë me një kandidat. Të dyja palët të shkojnë me një kandidat. Personalitete të shumta të Komisionit të Rithemelimit kanë folur për koalicion, por ne s’dimë të jenë bërë hapa konkrete. Përveç Agron Dukës i cili ka thënë se është kontaktuar nga Berisha po s’ka thënë nëse janë bërë negociata ne s’dimë hapa të bërë deri tani. S’dimë nëse ka bërë hapa edhe zoti Basha”, tha Mustafaj.

Në syrin e Mustafajt ka shanse për një bashkëpunim mes Bashës dhe Berishës:

“Rruga e bashkëpunimit ka shanse. Në diplomaci nuk ekziston e pamundura kur është fjala për marrëveshje bashkëpunim. Nëse futen në negociata mund të ndryshohen, në këtë kuptim duhet të prevalojë interesi për t’i fituar këto bashki. Refraktar shumë më i madh se Berisha, është Basha. Nëse do t’i drejtoja një thirrje bashkëpunimi, do ia drejtoj Bashës. Nëse shkohet drejt njëri tjetrit të dyja palët të bëjnë lëshime. Ademi është me eksperiencë, u ka rezistuar presioneve të Ramës. Por s’e dimë që anëtarësia e PD kë do votojë si kandidate. Shkodra duhet rifituar nga demokratët në mënyrë të domosdoshme”.

Ish-ministri nuk përjashton as një aleancë mes Berishës dhe LSI:

“Zoti Berisha dhe Meta kanë eksperiencë të rëndësishme bashkëpunimi elektoral. Basha si kryetar bashkie është zgjedh nga një koalicion i PD dhe LSI. Kjo eksperiencë e suksesshme bashkëpunimi mes PD, Berishës, LSI, Metës përbën një bazë që të ketë bashkëpunim intensiv. Sa do jetë i gatshëm duhet parë rast pas rasti”, shtoi ai.

Një analizë Mustafaj ka bërë edhe për deklaratat e kryeministrit Edi Rama lidhur me emrin e presidentit të ri. Propozimi i një emri nga jashtë sipas Mustafajt tregon se elita politike në PS ka shteruar:

“Në aspektin formal Rama ia del që ta zgjedhë edhe pa opozitën. Rama i ka 71 deputetë. Ai e ka të sigurtë kuorumin për të zgjedhur presidentin e ri. Deklarata e tij në vazhdën e një sërë veprimesh për ta përjashtuar opozitën në të gjitha etapat e pjesëmarrjes në administrimin politik të vendimit. Është brenda ambicies së tij për ta pushtuar të gjithë territorin. Është duke treguar ambiciet dhe qëllimet që ka. Që pasi u  bëri thirrje qytetarëve të harrojnë ndasitë partiakë., pastaj vjen kjo deklaratë e tij.

Demokracia në Shqipëri është në gjendje agonie dhe opinioni publik duhet të reagojë. Nëse përmbush kushtet ligjore është plotësisht e mundur përballë një trupe parlamentare në kontrollin e zotit Rama. Ne duhet të shqetësohet pse ai kërkon të sjellë një president nga jashtë. A është kjo tregues i  faktit që elita politike e PD është e shteruar. Elita s’ka më burime njerëzore për të ofruar. Rama i drejtohet një personaliteti enigmë, një njeriu që mund ta ketë plotësisht nën kontroll.

Praktikat e mëparshme të Ramës na çojnë në bindjen që me siguri ka një emër ndërmend. Nëse marrim parasysh eksperimentet që bëri duke sjellë ministra 2 personalitete nga Kosova të cilët i kishte nën kontroll të plotë, në kontroll skllavërues sa u përket fushave që mbanin. Hyri dhe doli ministri i jashtëm nga Kosova dhe nuk la asnjë gjurmë. Mungesa e një ministri të jashtëm bëri të mundur që Rama ta bëjë politikën e jashtme si një amator që është.  Lajmi që na ka dhënë sot Rama është lajm i keq në lidhje me presidentin. Rama thotë më mirë të kem një zar aty, do ta marrë nën kontroll presidencën”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re