Besnik Mustafaj, në një koment të publikuar te gazeta Panorama, shkruan se Kuvendi i 18 dhjetorit është një strukturë pa themele, që do shembet.

Në shkrimin e tij, ai thotë se Lulzim Basha është një politikan pa shtyllë kurrizore.

“Është shtruar shumë shpesh gjatë këtyre tre muajve pyetja nëse do të ishte shfaqur “Foltorja” sikur Basha të mos e përjashtonte Berishën nga grupi parlamentar demokrat.

Në vlerësimin tim kjo pyetje nuk ka më asnjë vlerë qysh nga momenti kur fenomeni “Foltore” ishte tashmë një fakt politik, që mori menjëherë jo vetëm vëmendjen e demokratëve, por të mbarë opinionit  publik.

Sepse politika e vërtetë, ajo që është në dobi të interesit publik ndërtohet vetëm duke u mbështetur mbi faktet. Kurrë mbi hipotezat, të cilat nuk përbëjnë realitet. Berisha duket se e kishte mirë parasysh këtë parim universal,” shkruan Mustafaj.

“Një inkuadrim i qartë i hallit të tij nga ai vetë do të kishte rëndësi jetike për fatin e “Foltores”, të cilën ai, me sa duket, e kishte tashmë ndër mend.

Në radhë të parë ne, demokratët, duhej ta shihnim dhe të siguroheshin se ai nuk po përpiqej të na manipulonte duke na përdorur “si mburojë për veten e tij”. Këtë gjë u duk në fillim se e kishte kuptuar drejt edhe Basha.

Në daljen e tij publike për të njoftuar përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar demokrat, ai u kujdes ta nënvizonte si vlerë të personalitetit të Berishës zgjedhjen e tij për ta mbajtur Partinë Demokratike jashtë përplasjes së vet me DASH.

Rrjedhimisht, kthesa që mori ai më pas, duke e akuzuar Berishën pikërisht për të kundërtën, përbën një tjetër shembull domethënës të inkoherencës së rëndë, që e ka shoqëruar atë në gjithë veprimtarinë politike.

Sikur asnjë dobësi tjetër të mos kishte, mjafton inkoherenca për të treguar se Lulzim Basha nuk e ka vendin në krye të Partisë Demokratike. Nuk mund të ngjallë kurrë besimin e shumicës së shoqërisë një burrë me një paqëndrueshmëri të tillë, i cili mohon vetveten nga një ditë në tjetrën.

Në të folmen e përditshme, për politikanët e këtij kallëpi thuhet zakonisht se janë pa shtyllë kurrizore,” shkruan Mustafaj.

Më pas në analizën e tij, Mustafaj ndalet gjatë te humbja e sovranitetit të Partisë Demokratike.

“Kjo dobësi doli qartë në pah në fjalën publike të Lulzim Bashës kur njoftoi përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar demokrat. Aty ai pohon shprehimisht se është i bindur në pafajësinë e Berishës. Domethënë se ai vendimin e kishte marrë jashtë bindjeve të veta.

Ndërkohë, ai nuk i kishte dhënë vetes mundësinë që përgjegjësinë ta ndante me strukturat drejtuese të partisë. Do ta mbante vetë të gjithën. Por kjo çështje është tjetër. Kryetari i partisë së dytë më të madhe në vend, alternativë e pushtetit, ai vetë kandidat për kryeministër, një vendim të tillë, që do ta trondiste partinë me rrënjë e me degë, e merr jashtë bindjeve të veta.

Duke arsyetuar politikisht, madje edhe përtej lidhjes që kishte ky vendim me atë vetë, Berisha nuk e pati të vështirë të arrinte në përfundimin politik se Partia Demokratike, nëpërmjet kryetarit të saj, kishte humbur sovranitetin. Dhe, qysh në foltoren e parë shpalli se kjo lëvizje kishte për qëllim madhor t’i kthente Partisë Demokratike sovranitetin”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re