Nënkryetari i PD-së, Enkeled Alibeaj ka treguar “prapaskenat” e negociatave mes PS dhe Rithemelimit, teksa u shpreh se u sakrifikua Reforma Zgjedhore.

“Arritja e parë e hidhur më e madhe e kësaj marrëveshje hipokrite dhe të rremë është sakrifikimi i reformës zgjedhore”, u shpreh Alibeaj, teksa shtoi se ka kosto të madhe për opozitën.

Ai theksoi se beteja 5 mujore e deputetëve të opozitës në Kuvend ishte e rreme, teksa e quajti marrëveshjen “hipokrite”.

“Tashmë që beteja e rremë në Parlament mori fund dhe që normaliteti u rikthye, marr shkas dhe e përshëndes, sepse një Parlament normal është në dobi të qytetarëve, çdokush me të drejtë kërkon të dijë se çfarë u fituat në këto 5 muaj betejë e rreme. Kush është bilanci? Tashmë nga kjo marrëveshje ajo që di publiku janë marrë një ose dy komisione hetimore, interesi publik i të cilave duket se nuk është ai që publiku kërkon, nuk drejtohen drejtpërdrejt kundër Edi Ramës.

Së dyti, komisionet hetimore që vazhdojnë me një ligj të bërë nga Edi Rama me rregulla të përcaktuara nga Rama.

Së treti, e sakrifikuara e madhe është reforma zgjedhore.

Arritja e parë e hidhur më e madhe e kësaj marrëveshje hipokrite dhe të rremë është sakrifikimi i reformës zgjedhore. Në fakt për opozitën ka kosto të madhe, opozita ka humbur garancinë më të madhe të saj, e drejta e vetos për ti vendosur një kufizim mazhorancës që të mos kalojë ligje të rëndësishme në mënyrë të njëanshme. PS e dështoi reformën zgjedhore dhe kjo ka bilanc të hidhur për publikun”, u shpreh Enkeled Alibeaj.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re