Në Gjykatën Kushtetuese po zhvillohet aktualisht seanca në lidhje me mosmarrëveshjen e krijuar mes institucionit të Presidentit dhe Kryeministrit në lidhje me mosdekretimin e ministrit të Jashtëm Geta Cakaj.

Presidenti Ilir Meta refuzoi dekretimin e ministrit Cakaj duke e lidhur këtë veprim me çështje të sigurisë kombëtare, por pa dhënë shumë detaje për publikun. Ky veprim u cilësua si një shkelje e Kushtetutës nga ana e mazhorancës socialiste dhe si një ndërhyrje në punët e ekzekutivit nga kreu i shtetit.

Në fjalën e saj në seancën e sotme Elira Kokona, përfaqësuese e Këshillit të Ministrave në Gjykatën Kushtetuese mësohet të ketë deklaruar se mosdekretimi i ministrit Cakaj cënoi rëndë parimet e parlamentarizmit në Shqipëri.

“Presidentit refuzoi dekretimin jashtë çdo lloj kompetence, jashtë çdo kompetence që i jep Kushtetuta dhe cënoi rëndë parimet e parlamentarizmit”, u shpreh Kokona.

Kërkesa ka si qëllim rregullimin e mosmarrëveshjes së krijuar në rastin konkret.

Në Gjykatë nuk janë paraqitur as kryeministri Rama, as presidenti Ilir Meta, pasi siç bëhet me dije, Meta ndodhet në Sloveni në takim me homologët e Ballkanit perëndimor, ndërsa kryeministri Edi Rama do të jetë sot i pranishëm në një takim të liderve të Ballkanit perëndimor në Bruksel.

Presidenti përfaqësohet me këshilltarin ligjor Bledar Dervishaj, ndërsa Kryeministri Rama përfaqësohet nga zv.sekretarja e përgjithshme e qeverisë Edlira Kokona.

 

 

Për t’ju bashkuar faqes sone në Facebook, klikoni like

loading…

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re