Një betejë për jetë a vdekje e cilëson kryeredaktori i Rilindjes Demokratike, gazetës zyrtare të PD-së, Kuvendin e 11 dhjetorit.

Bledi Kasmi në një postim të tijin në rrjetet sociale, tashmë i rreshtuar prej kohësh në krah të Berishës ka paralajmëruar ata që i dalin kundër lëvizjes së ish-kryeministrit se do të përballen me pasojat.

“E rëndësishme sot është vetëm fryma opozitare që është ringjallur si kurrë më parë dhe ajo nuk mund të shuhet më. Hapini rrugën opozitarizmit! Ora e përballjes me regjimin është e afërt dhe do jetë një betejë për jetë a vdekje. Mjerë kush i del përpara!”, shprehet Kasmi.

Postimi i plotë

Hapini rrugën opozitarizmit. Sali Berishës nuk i duhet PD-ja, por demokratëve dhe vendit sot më shumë se kurrë i duhet Berisha për atë që përfaqëson dhe lërini përrallat e realizmit socialist me kult individi.

Nëse nuk kemi kuptuar këtë, atëherë nuk kemi kuptuar asgjë se pse ata mijëra njerëz kanë mbushur sallat nga jugu në veri këto javë në një furi të jashtëzakonshme ku bashkoheshin zëmërimi, revolta dhe shpresa njëkohësisht.

Ata njerëz nuk mbushën sallat me shpresë për hallin e Berishës, por për hallin e tyre sepse janë në pikë të hallit. Natyrisht, duhet të ishte bërë më shumë për kompromisin në PD javët e kaluara, por ajo që ndodhi keq në krye të rrugës mund të ndreqet përgjate rrugëtimit opozitar dhe për këtë duhet të kursejmë njëri-tjetrin në etiketime sepse gjuha kocka s’ka, por kocka bluan.

E rëndësishme sot është vetëm fryma opozitare që është ringjallur si kurrë më parë dhe ajo nuk mund të shuhet më. Hapini rrugën opozitarizmit! Ora e përballjes me regjimin është e afërt dhe do jetë një betejë për jetë a vdekje. Mjerë kush i del përpara!

 

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re