Kryedemokrati Lulzim Basha e quajti një ‘grusht’ të pastër institucional situatën e krijuar me krijimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në një reagim nga Saranda, në vijim të turit të takimeve në rrethe, megjithëse nuk iu referuar drejtpërdrejt betimit të Arta Vorpsit tek një notere private e jo tek presidenti Ilir Meta, Basha tha se qytetarët kërkojnë një gjykatë Kushtetuese funksionale.

Pjesë nga fjala e Lulzim Bashës:

Sepse drejtësia është e kapur. Sepse Edi Rama dhe kjo qeveri kanë vetëm një qëllim, ta kapin ose ta bllokojnë reformën në drejtësi.

Ne nuk mund ta pranojmë këtë. Kjo që po ndodh me Gjykatën Kushtetuese është një grusht i pastër institucional. Është një grusht kushtetues i cili ka për qëllim që në vend që qytetarët të kenë Gjykatën Kushtetuese për të cilën kemi dy vite, tre vite që të merren hapat për të formuar, të kenë një kukull të regjimit.

Mund t’ju duket si një debat juristësh, mund t’ju duket debat i stërholluar, por kastile i bëjnë të stërholluar që një qytetar i thjeshtë të mos e kuptojë, ta humbasin fillin, ta humbasin interesin dhe të thotë: “Kush merret me këtë punë, ja politika na futi prapë në këtë valle”.

Prandaj e kanë bërë kaq të komplikuar. Një qeveri e kapur në afera korruptive, një qeveri që do të grabisë pronat e qytetarëve, siç po bën në Himarë, në Sarandë, kudo në bregdet me koorporatën e investimeve, nuk do Gjykatën Kushtetuese të pavarur. Sepse një Gjykatë Kushtetues e pavarur i thotë “Ndal, këtyre veprimeve”.

Se një Prokurori e pavarur e merr të pandehur kryeministrin, kabinetin, të gjithë pushtetin në qoftë se shkelin të drejtat themelore të qytetarëve, biznesit. Ndaj jemi në një moment deciziv për të ardhmen tonë. Ndaj jam me shpresë se këto janë orët e fundit të një tiranie të një pakice ndaj një shumice.

Për këtë ne kemi një vizion vlerash, normash, standardesh europiane, që fillon me një drejtësi të pavarur, me një Gjykatë Kushtetuese të fillojë nga detyra, të jetë një Gjykatë Kushtetuese e pavarur e formuar sipas Kushtetutës. Sepse një Gjykatë Kushtetuese e formuar sipas tekave të qeverisë nuk ka legjitimitet.

Ditën e sotme, anëtarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi ka sfiduar autoritetin e presidentit Ilir Meta, duke shmangur ceremoninë e betimit tek Meta por duke u betuar tek një notere private.

Kopjen e betimit, Vorpsi ia ka dërguar Metës, KED dhe Gjykatës Kushtetuese me Postë, ndërkohë që akti bie ndesh me nenin 8 të Kushtetutës ku parashtrohet qartë se anëtari i Gjykatës fillon detyrën pasi betohet tek presidenti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re