Anëtari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Ilir Alimehmeti, ka shprehur pakënaqësi lidhur me procedurën e ndjekur për betimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

Përmes një interviste në Panorama TV, Alimehmeti tha se lidhur me këtë ceremoni, duhet të ishin zbatuar fillimisht rregullat që janë shkruar nga vetë Këshilli dhe sipas tij, nëse kjo do të ndodhte, atëherë pjesë e ceremonisë do të ishin edhe anëtarë të opozitës.

Nga ana tjetër, anëtari i Këshillit Bashkiak i PS-së, Aldrin Dalipi, është shprehur se ajo që ka ndodhur me betimin e Veliajt, është një procedurë krejtësisht normale.

Pjesë nga diskutimi:

Dalipi: Lajmi shumë i mirë është që opozita u rikthye në Këshillin Bashkiak. Është një ogur i mirë për ruajtjen e ekuilibrave. Veliaj është kryebashkiaku i Tiranës. Ajo që ishte dje ishte një procedurë normale. Nuk u ftuan të gjithë këshilltarët, pasi kishte shumë të ftuar. Ajo që u intereson qytetarëve, është një kopsht i ri, një çerdhe e re.

Alimehmeti: E rëndësishme është që opozita është aty. Nuk është një opozitë që flet për personin, por për mbarëvajtjen e qytetit. Ne kemi para situate ku është gjetur dhe ku nuk është gjetur konsensus. Mendoj se gjithë ata të ftuarit që janë ftuar dje… Ne jemi njoftuar mbi mbledhjen. Nuk kemi një njoftim të dytë ku ne munguam apo nuk donim të shkonim. Ne mendojmë se ekzistojnë disa ligje dhe rregulla të shkruara nga paraardhësit tanë. Në rastin konkret janë shkruar nga Këshilli Paraardhës. E di si është kjo punë, nuk i kushtonte asgjë, 20 sekonda punë është ajo, të bënte atë betimin formal dhe të vijonte festën e tij. Mjaftonte të zbatonte rregullat që ka vendosur vetë dhe atje lart do të kishte edhe anëtarë të opozitës. E drejtë është të bëjë festë, por fillimisht të zbatonte rregullat. Edhe kur bën një dasmë, bën celebrimin njëherë, pastaj bën festën. Po nuk bëre celebrimin, nuk quhesh i martuar, edhe po të kesh bërë dasmë.

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re