Një ditë me diell dhe e diela, 4 maj 1980, është dita kur jeta e shumë jugosllavëve, mes tyre dhe e mijëra shqiptarëve, ndryshoi, pa e kuptuar se ai moment do të ishte fillimi i shpërbërjes së një shteti disakombësh, i cili, ekonomikisht u vendos mes Lindjes dhe Perëndimit, ndonëse ideologjikisht ishte në Lindje.

Udhëheqësi i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, një hero i trefishtë, themelues i Lëvizjes së të Paangazhuarve dhe president i një vendi me 22 milionë banorë, vdiq pas një sëmundjeje të gjatë. Ai ndërroi në Qendrën Klinike në Lubjanë dhe u varros në Shtëpinë e Luleve në Dedinje, Beograd.

Lajmin e vdekjes e lexoi spikeri Miodrag Zdravković me fjalët “Shoku Tito ka vdekur… Kjo u njoftua sonte nga Komiteti Qendror i Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë dhe Presidenca e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, klasës punëtore, njerëzve punonjës dhe qytetarëve, popujve dhe kombësive të Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë”.

Në heshtje, Jugosllavia ndaloi.

Ndeshja midis Hajdukut dhe Yllit të Kuq u ndërpre dhe tifozët dhe lojtarët kënduan së bashku “Shoku Tito, të betohemi”. Për ironi, pas një dekade do ishte pikërisht një përballje e tillë futbollistike e rivalitetit kroato-serb, i cili do shenjonte shpërbërjen e Jugosllavisë, me Zvonimir Bobanin, futbollistin e madh kroat që do godiste me shqelm në fushë një polic serb.

Deri në fillimin e luftës në ish-Jugosllavi, çdo katër maj në orën 15:05 sirenat dëgjoheshin në të gjithë vendin. Në atë moment, i gjithë trafiku në rrugë do të ndalej, kalimtarët do të ndaleshin, punëtorët në vendet e tyre të punës do të qëndronin në heshtje dhe kështu vendi do t’i bënte nderime kolektive udhëheqësit të tij më të madh.

Si në rastin e Enverit, shumë nga ata që jetuan Jugosllavinë e tij kanë nostalgji për atë kohë, duke pohuar se kanë bërë një jetë shumë të mirë asokohe. /tesheshi.com/

 

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko