Betohet para Presidentit të Republikës anëtarja e re e Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska.
Mbrëmjen e sotme u zhvillua ceremonia e betimit përpara Presidentit të Republikës, Ilir Meta, i anëtarës së re të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska.
Ky është plotësimi i vakancës së parë të Kuvendit që zëvendëson ish-gjyqtarin, z.Vladimir Kristo.
Duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë, gjyqtarja Toska u betua para Presidentit Meta: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë!”.
Presidenti Meta i uroi shumë suksese dhe punë të mbarë në këtë detyrë shumë të rëndësishme.