Anëtari i Gjykatës Kushtetuese, i zgjedhur pak ditë më parë nga Kuvendi i Shqipërisë, Altin Binaj është betuar sot para Presidentit Ilir Meta.

Në njoftimin e shpërndarë nga zyra e shtypit e kreut të shtetit, bëhet me dije se “Pas ekzekutimit të himnit kombëtar, gjyqtari Binaj duke vendosur dorën mbi Kushtetutën e Shqipërisë u betua para Presidentit Meta se: “Betohem se gjatë kryerjes së detyrave të mia do t’i qëndroj kurdoherë besnik Kushtetutës së Republikës të Shqipërisë”.

Nga ana e tij Presidenti Meta uroi suksese dhe punë të mbarë anëtarit të ri të Gjykatës Kushtetuese në detyrën e tyre shumë të rëndësishme e me përgjegjësi të lartë.
Në ceremoninë solemne të betimit ishin të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Sh. T. Z. Gramoz Ruçi, kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, znj.Vitore Tusha, Avokati i Popullit, znj.Erinda Ballanca dhe drejtuesja e misionit OPDAT të Ambasadës së SHBA në Tiranë, znj.Michelle Lakomy.

Kandidatura e tij i ishte dërguar Kuvendit nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi.

Altin Binaj bëhet tanimë anëtari i pestë i Gjykatës Kushtetuese.

Në total kjo gjykatë duhet të ketë nëntë anëtarë, por funksionaliteti i saj mund të arrihet së paku me gjashtë gjyqtarë.

NJOFTIM PUBLIK

MBI ORGANIZIMIN E CEREMONISË SË BETIMIT TË GJYQTARIT TË RI TË GJYKATËS KUSHTETUESE

Në Institucionin e Presidentit të Republikës është administruar me nr. 4309 prot, datë 21.12.2020, Vendimi nr. 77, datë 17.12.2020 i Kuvendit të Shqipërisë, për zgjedhjen e zotit Altin Binaj anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në mbështetje të nenit 129 të Kushtetutës dhe nenit 8 të ligjit nr. 8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, pasi administroi vendimin e Kuvendit, ka vendosur:

– Zoti Altin Binaj, anëtar i Gjykatës Kushtetuese i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë, thirret për betim përpara Presidentit të Republikës, sot ditë e martë në datë 22.12.2020, ora 12:30.

Ceremonia e betimit zhvillohet në Institucionin e Presidentit të Republikës dhe për këtë ftohen të jenë të pranishëm Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë apo një përfaqësues i Kuvendit, Kryetarja në detyrë e Gjykatës Kushtetuese, dhe Avokatja e Popullit.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re