Pas ditësh vetëpërmbajtje, Denar Biba, i akuzuar nga opozita se ka tentuar t’i bëjë shantazh në emër të qeverisë gjyqtarit të Strasburgut Ledio Bianku, e gjitha pas një përgjimi që ky i fundit i ka bërë një bisede mes tyre, realizuar pak vite më parë por publikë këto ditë, ka denoncuar “tradhëtinë” e mikut të tij.

“Më vjen keq që Bianku nuk e ndau me mua në atë moment, në sy, aty për aty ta ndërpriste bisedën dhe të ma komunikonte që mënyra si po i drejtohesha ishte e papëlqyer prej tij. Kjo nuk ndodhi kurrë, nuk ka ndodhur as në këto momente që po flasim dhe besoj se nuk do të ndodhi ndonjëherë përsa kohë që askush nuk ka guximin të nxjerrë audion e plotë , nga e cila do të rezultojë ndër të tjera edhe fakti që zoti Bianku nuk e ndërpret bisedën dhe nuk shfaq shqetësim për bisedën”, u shpreh Biba, që ndryshe nga Bianku që nuk është prononcuar fare deri më tani, po ballafaqohet çdo ditë me shtypin dhe po reagon fort ndaj çdo akuze nga ana e opozitës.

Sipas Bibës, kjo që po ndodh synon tjetër gjë.

“Mesa duket e gjitha u përdor, jo vetëm biseda, por edhe njerëz të caktuar u përdorën për teatrin politik të brendshëm shqiptar, i cili në mënyrë të vazhdueshme, megjithëse ka mundësinë të sqarojë që në atë periudhë unë kam qenë aty në stusine e drejtuesit të një agjencie qeveritare, kryetari i Komisionit të Prokurimit Publik vazhdon të thotë që unë kam qenë atje si nënkryetar i KQZ, gjë që do të ishte shkak për largimin tim nga kjo detyrë. Unë nuk kam qenë në asnjë rrethanë në pozitën e nënkryetarit të KQZ, por si drejtues i një agjencie qeveritare për interesa të shtetit shqiptar. Në këtë pikë, nuk më mbetet vecse të besoj që kjo histori po shndërrohet në një shantazh dhe presion në lidhje me punën time në KQZ dhe  ndaj KQZ në prag të nisjes së periudhës zgjedhore”, u shpreh Biba.   

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re