Përderisa po vazhdon numërimi i votave në shtetet kyçe, kandidati demokrat për president të ShBA-së, Joe Biden, e ka ngushtuar në masë të konsiderueshme epërsinë e rivalit Donald Trump në Georgia.

Prej fillimit të numërimit, Partia Republikane e presidentit të tanishëm ka qenë në epërsi në Georgia, por dallimi në vota mes kandidatëve tash nuk është aq i madh sa më herët.

Të mërkurën, ky dallim ishte dhjetëra mijëra vota, ndërsa tani epërsia e Trumpit ndaj Bidenit në këtë shtet është vetëm rreth 23 mijë vota, sipas të dhënave të televizionit CNN.

Ndërkohë Trumpi ende është në epërsi në Karolinën Veriore dhe në Pensilvani, por dallimi në vota në këtë të fundit gjithashtu është zvogëluar shumë në krahasim me një ditë më parë.

Ndryshe, Partia Demokratike e Bidenit deri më tani ka siguruar më shumë ulëse se Partia Republikane në Dhomën e Përfaqësuesve, ku sipas votave të numëruara deri tash i ka marrë 204 ulëse, në krahasim me 190 të partisë rivale.

Sa i përket Senatit, që është dhomë e lartë e Kongresit, gjithçka është ende e barabartë. Të dyja partitë deri më tani kanë marrë nga 48 ulëse në këtë organ.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re