Presidenti i SHBA-së, Joe Biden ka deklaruar se bota është “më e bashkuar” dhe “më e vendosur” pas votimit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB) që dënon Rusinë për aneksimin e saj të paligjshëm në Ukrainë.

Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi një rezolutë që dënon aneksimin e paligjshëm të 4 rajoneve të Ukrainës lindore nga ana e Rusisë, me 143 vende që votuan pro rezolutës.

“Pothuajse tetë muaj pas kësaj lufte, bota sapo ka treguar se është më e bashkuar dhe më e vendosur se kurrë për ta kërkuar përgjegjësinë nga Rusia për shkeljet e saj. Së bashku me Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, ne nuk do të tolerojmë përpjekjet e paligjshme për aneksimin ose vjedhjen e tokës së një fqinji me fortë”, tha Biden.

Ai tha se do të mbrojnë ligjin ndërkombëtar, Kartën e OKB-së si dhe të drejtat dhe mbrojtjet që ajo i ofron Ukrainës dhe popullit të saj dhe çdo shteti e populli kudo.

Duke deklaruar se shumica dërrmuese e botës votoi për të mbrojtur Kartën e OKB-së dhe për të dënuar përpjekjen e paligjshme të Rusisë për të aneksuar territorin ukrainas me forcë, Biden tha se Rusia po shqyen themelet e paqes dhe sigurinë ndërkombëtare duke sulmuar parimet thelbësore të Kartës së OKB-së.

“Aksionet e këtij konflikti janë të qarta për të gjithë dhe bota ka dërguar një mesazh të qartë si përgjigje, Rusia nuk mund të fshijë një shtet sovran nga harta. Rusia nuk mund të ndryshojë kufijtë me forcë. Rusia nuk mund të pushtojë territorin e një vendi tjetër si të sajin”, tha Biden.

Ai theksoi se Ukraina ka të drejta si çdo vend tjetër sovran dhe siç tha ai, ajo duhet të jetë në gjendje të zgjedh të ardhmen e saj dhe popullit të saj të jetojnë në paqe brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.

Lëvizja e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së erdhi pasi organi botëror dje thirri një seancë urgjente për të diskutuar referendumet e mbështetura nga Moska për të aneksuar rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson.

Pesë vende, respektivisht Rusia, Venezuela, Koreja e Veriut, Bjellorusia dhe Siria, votuan kundër rezolutës, ndërsa 35 abstenuan, përfshirë Kinën dhe Indinë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko