Skip to content

Biden dhe Xi Jinping, dy orë telefonatë për çështjet më të nxehta mes dy vendeve

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Presidenti amerikan, Joe Biden dhe lideri kinez, Xi Jinping zhvilluan një bisedë telefonike, e cila zgjati më shumë se dy orë, ku u fol për të ardhmen e marrëdhënieve të ndërlikuara mes dy vendeve.

Kjo është biseda e pestë telefonike mes dy liderëve.

Telefonata nisi në 8:33 të mëngjesit, me kohën lokale në Amerikë dhe përfundoi në orën 10:50, sipas Shtëpisë së Bardhë.

Këndvështrime të ndryshme mbi shëndetin global, politikat ekonomike dhe të drejtat e njeriut kanë testuar prej kohësh marrëdhëniet mes dy vendeve.

Refuzimi i Kinës për të dënuar pushtimin rus të Ukrainës ka tendosur edhe më shumë raportet.

Biseda vjen në kohën kur Kina ka rritur paralajmërimet për administratën Biden rreth një vizite të mundshme të udhëheqëses së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, në Tajvan.

Këtë ishull që vetëqeveriset, Pekini e konsideron si territorin e saj.

Pekini ka thënë se do ta konsideronte këtë vizitë si një provokim, një kërcënim që zyrtarët amerikanë po e marrin me seriozitet të shtuar në dritën e inkursionit të Rusisë në Ukrainë.

“Nëse SHBA-ja këmbëngul të ndjekë rrugën e vet dhe të sfidojë limitet e Kinës, ajo me siguri do të përballet me përgjigje të forta”, tha në fillim të javës Zhao Lijian, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze.

Pelosi do të bëhej ligjvënësja me pozitën me të lartë në SHBA që viziton këtë ishull, pas paraardhësit të saj, Neët Gingrich, që ka vepruar njëjtë 25 vjet më parë.

Bideni u tha javën e kaluar gazetarëve se zyrtarët ushtarakë amerikanë besonin se nuk ishte “ide e mirë” që kjo vizitë të realizohej tash.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë për Siguri Kombëtare, John Kirby, u tha gazetarëve të mërkurën që është e rëndësishme që të ketë komunikim mes dy liderëve.

“Presidenti dëshiron të sigurohet që linjat e komunikimit me Presidentin Xi të mbeten të hapura sepse ata kanë nevojë për këtë”, u tha Kirby gazetarëve në një konferencë në Shtëpinë e Bardhë. “Ka çështje për të cilat ne mund të bashkëpunojmë me Kinën, dhe ka çështje ku padyshim ka fërkime dhe tensione”.

Biden dhe Xi folën për herë të fundit në mars, menjëherë pas pushtimit rus të Ukrainës./R.E.L

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë