“Askush nuk është më i kualifikuar (se unë)” për të qenë president ose për të fituar këto zgjedhje”, tha Joe Biden gjatë një interviste për ABC News.

Performanca zhgënjyese e 81-vjeçarit Biden në debatin me rivalin e tij republikan 78-vjeçar më 27 qershor ka bërë që disa demokratë të ngrenë çështjen e tërheqjes së kandidaturës së tij. Tashmë katër kongresmenë demokratë i kanë kërkuar Joe Biden që të largohet nga gara për Shtëpinë e Bardhë.

Presidenti Biden pranoi për të disatën herë se paraqitja e tij në debatin me Donald Trump nuk i përmbushi pritshmëritë, por theksoi se ishte një incident i izoluar për shkak të të ftohtit që po e shqetësonte.

Këto komente të tij u bënë gjatë një interviste për George Stefanopulos, në gazetar amerikan me origjinë greke.

“A jeni sot i njëjti person si kur morët detyrën tre vjet e gjysmë më më parë? – pyeti Stefanopulos.

“Për sa i përket sukseseve, po”, u përgjigj Biden. “Unë isha ai që hartoi një plan paqeje të zbatueshëm në Lindjen e Mesme. Unë isha ai që zgjeroi NATO-n. Unë isha ai që rriti ekonominë”, tha Biden për veten.

Biden ka hedhur poshtë në mënyrë të përsëritur shifrat e sondazheve të fundit që e tregojnë atë pas Trumpit në zgjedhjet e përgjithshme dhe në disa shtete, si dhe shqetësimet e ngritura nga disa demokratë se qëndrimi në garë nuk është në interesin më të mirë të partisë apo vendit.

“Nëse mund ta bindni veten se nuk mund ta mposhtni Donald Trumpin, a do të jepni dorëheqjen?, pyeti Stefanopulos.

“Në varësi se i Plotfuqishmi do të zbresë dhe do të më thotë, unë mund ta bëj këtë”, tha Biden.

I pyetur se çfarë do të bënte nëse udhëheqja demokrate e Kongresit i kërkonte të jepte dorëheqjen, Biden u përgjigj.

“Të gjithë thanë se duhet të qëndroj në luftë. Qëndro në luftë. Askush nuk tha që duhet të shkoj.”

“Nëse aleatët tuaj, miqtë dhe mbështetësit tuaj në Partinë Demokratike në Dhomën e Përfaqësuesve dhe Senatin ju thonë me siguri se ata janë të shqetësuar se do të humbni Dhomën dhe Senatin nëse qëndroni, çfarë do të bënit?”, këmbënguli Stephanopoulos.

“Unë nuk do t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Kjo nuk do të ndodhë,” u përgjigj Biden.

Takimi i Biden me ABC News është intervista e tij e parë televizive që nga debati i 27 qershorit. ABC News kontaktoi Trumpin për t’i ofruar atij një mundësi interviste, por ekipi i tij nuk pranoi.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re