Presidenti amerikan Joseph Biden mbështeti, gjatë një vizite në panairin e automjeteve në Detroit, tranzicionin gjithnjë e më masiv të prodhuesve të makinave në prodhimin e automjeteve elektrike dhe investimet e reja në fabrikat e baterive, që arrijnë në disa miliardë dollarë, raporton Reuters.

“Ne zgjedhim të ndërtojmë një SHBA më të mirë, me një udhëheqje që përballet me krizën klimatike,” tha Biden.

Ai njoftoi gjithashtu miratimin e 900 milionë dollarëve të parë për të financuar ndërtimin e stacioneve të karikimit të automjeteve elektrike në 35 shtete sipas ligjit të infrastrukturës.

Tre prodhuesit më të mëdhenj të automjeteve të Detroitit po shfaqin një mori automjetesh të reja elektrike në panairin e automjeteve, ngjarja më e madhe e këtij lloji në Amerikën e Veriut.

Kongresi amerikan dhe Biden, një entuziast i vetë-përshkruar i makinave, kanë premtuar dhjetëra miliarda dollarë kredi për prodhim dhe konsumatorë, për të përshpejtuar kalimin nga automjetet me djegie të brendshme në automjetet elektrike.

Këshilltari Kombëtar i Shtëpisë së Bardhë për Klimën, Ali Zaidi i tha Reuters se prodhuesit e makinave dhe baterive kanë njoftuar investime prej 13 miliardë dollarësh në prodhimin e automjeteve elektrike në vitin 2022.

Shtëpia e Bardhë përshëndeti një sërë njoftimesh të rëndësishme të fundit nga prodhuesit amerikanë dhe të huaj të automjeteve për të ndërtuar objekte të reja të prodhimit të baterive dhe automjeteve elektrike.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re