Administrata e Joe Biden ka filluar procedurat për të ardhmen e burgut ushtarak në Gjirin Guantanamo të Kubës dhe po shqyrton mundësinë e një urdhri ekzekutiv që do të nënshkruhet nga ai në disa javë ose muaj.

“Është një njollë në imazhin global të Amerikës,” tha Shtëpia e Bardhë për Reuters, por po ashtu edhe grupeve të të drejtave të njeriut, të cilat kërkojnë mbylljen e Guantanamos prej vitesh.

Procesi do të drejtohet nga Këshilli i Sigurimit Kombëtar i Shtëpisë së Bardhë, në bashkëpunim me ministritë e mbrojtjes, sekretarinë e shtetit dhe drejtësinë, si dhe në konsultim me Kongresin.

Kjo iniciativë sigurisht që nuk do të çojë në mbylljen e shpejtë të burgut famëkeq ushtarak, i cili u bë aktiv pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001 në Nju Jork dhe Uashington.

Ish-Presidenti Barack Obama gjithashtu donte të mbyllte Guantanamon, por ai kurrë nuk gjeti mbështetje nga Kongresi, edhe kur të dy dhomat e Kongresit ishin nën kontrollin e demokratëve.

Ndërsa ish-Presidenti Donald Trump, i cili shpesh thoshte se do ta mbushte burgun me “njerëz të këqij”, nuk dërgoi asnjë të burgosur në Guantanamo gjatë mandatit të tij.

Tani ndodhen 40 të burgosur në Guantanamo, dhe shumica e tyre kanë qenë atje për rreth 20 vjet, pa patur aktakuzë ose gjyq.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re