Presidenti i SHBA Joe Biden i ka dërguar një mesazh falenderimi e mirënjohjeje Presidentit Bajram Begaj për aleancën dhe bashkëpunimin strategjik.

 

Në letrën e publikuar nga Presidenca, Biden vlerëson ndihmën bujare të Shqipërisë për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe afganë, si kontribut për një botë më të sigurt.

 

Letra iu dorëzua Begajt sot gjatë takimit me Përfaqësuesen e SHBA-së në OKB, Ambasadoren Linda Thomas-Greenfield.

 

Njoftimi i Presidencës:

 

Tiranë, 7 nëntor 2022

 

Presidenti i Republikës së Shqipërisë Sh.T.Z Bajram Begaj mori sot, gjatë takimit me Përfaqësuesen e SHBA-së në OKB, Ambasadoren Linda Thomas-Greenfield, një mesazh falenderimi dhe mirënjohjeje nga Presidenti Biden për Shqipërinë dhe popullin shqiptar për bashkëpunimin e fuqishëm në avancimin e marrëdhënieve dypalëshe, stabilitetin rajonal dhe sigurinë globale. 

 

“Si aleatë të NATO-s, kemi punuar së bashku për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në të gjithë botën” – shprehet Presidenti Biden në mesazhin e tij.

 

Përballë agresionit rus kundër Ukrainës, kemi qëndruar krah për krah në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe kemi bashkëpunuar për rezoluta të lidhura me luftën e padrejtë dhe të paprovokuar të Rusisë si dhe për adresimin e sfidave të tjera globale. 

 

Presidenti Biden vlerëson ndihmën bujare të Shqipërisë për strehimin e refugjatëve ukrainas dhe afganë, si kontribut për një botë më të sigurt.

 

“SHBA mbetet e përkushtuar për ta ndihmuar në mënyrë domethënëse dhe të vazhdueshme Shqipërinë në forcimin e mbrojtjes kibernetike, përfshirë mbështetjen financiare dhe ngritjen e një grupi pune për sigurinë kibernetike”, theksohet në mesazh. 

 

Me rastin e 100-vjetorit të marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, Presidenti Biden nënvizon se në vitet e ardhshme dëshirojmë që ta thellojmë edhe më tej partneritetin tonë strategjik, si dhe do të mbështesë përpjekjet e Shqipërisë për një rol më të madh lidershipi, përmes promovimit të stabilitetit dhe sigurisë energjitike në Ballkanin Perëndimor.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re