Për herë të parë që nga diagnostikimi me kancer agresiv të prostatës, Joe Biden foli publikisht dhe dërgoi një mesazh optimizmi për shëndetin e tij, por edhe një apel për amerikanët për të mbrojtur demokracinë. Në fjalimin e tij nga Delaware, ai përsëriti besimin e tij se beteja me sëmundjen mund të fitohet, duke shmangur çdo referencë të drejtpërdrejtë ndaj Donald Trump.
“Të gjithë janë shumë optimistë… Pritja është që ne do të jemi në gjendje ta mposhtim atë”, tha ish presidenti amerikan, duke iu referuar kancerit. Ai sqaroi se tashmë po merr ilaçe me një pilulë në ditë dhe siguroi se, megjithëse sëmundja është përhapur në kocka, “nuk ka depërtuar në organe” dhe “kockat janë të forta”. Ai vuri në dukje se po monitorohet nga një kirurg i shkëlqyer, i cili e kishte mposhtur të njëjtin lloj kanceri 30 vjet më parë.
Fjalimi i tij u kombinua me nderimin e ushtarëve të rënë, disa ditë pas Ditës së Përkujtimit, por edhe me plotësimin e dhjetë viteve që nga vdekja e djalit të tij, Beau Biden, nga kanceri në tru. Me një ngarkesë qartësisht emocionale, Biden theksoi: “Ata nuk po na kërkojnë të rrezikojmë jetën tonë, por të qëndrojmë besnikë ndaj asaj që përfaqëson Amerika. Ata nuk po na kërkojnë të bëjmë punën e tyre, por të bëjmë tonën – të mbrojmë kombin tonë, tani, në kohën tonë, të mbrojmë demokracinë.”
Sulme indirekte pa referenca ndaj Trump-it
Edhe pse nuk e perëmendi pasardhësin e tij, as nuk bëri ndonjë referencë për fjalimin provokues të Trump-it në Ditën e Përkujtimit apo deklaratat e tij për forcimin e pushteteve të presidentit, mesazhi politik ishte i qartë: Biden i përshkroi Shtetet e Bashkuara si “në një pikë kthese”, ku vendimet e së tashmes do të përcaktojnë dy dekadat e ardhshme.
Biden u tha gazetarëve se nuk kishte asnjë keqardhje për vendimin e tij për t’u tërhequr nga gara për rizgjedhje, pavarësisht kthimit të Trump-it në Shtëpinë e Bardhë. “Absolutisht asnjë keqardhje,” tha ai. “Jam shumë krenar. Do ta krahasoj punën time si president me të kujtdo tjetër.” /tesheshi.com/