Presidenti amerikan Joe Biden iu drejtua polakëve sot para Pallatit Mbretëror në Varshavë. Në fjalimin e tij, Biden përmendi luftën midis komunizmit dhe Perëndimit gjatë Luftës së Ftohtë.

“Ishte një luftë për liri, një luftë midis lirisë dhe shtypjes,” tha Biden.

Ai paralajmëroi se lufta në Ukrainë nuk do të përfundojë shpejt, duke shtuar se njerëzit “duhet të përgatiten për luftën e gjatë përpara nesh”.

“Kjo luftë nuk do të përfundojë në ditët apo muajt e ardhshëm. Rusia ka mbytur demokracinë. Pretendimi i Putinit për të denazifikuar Ukrainën është i turpshëm,” tha Biden.

“NATO është një aleancë mbrojtëse që nuk ka kërkuar kurrë rënien e Rusisë,” u tha ai të mbledhurve. Biden paralajmëroi gjithashtu presidentin rus Putin të mos “lëvizë asnjë centimetër drejt territorit të NATO-s”.

Ai tha se një “përgjigje e shpejtë dhe e ashpër” ishte e vetmja gjë që mund ta detyronte Moskën të ndryshojë drejtim. “Të gjitha demokracitë në botë kanë përgjegjësinë për të ndihmuar Ukrainën”, tha Biden.

“Kjo luftë është tashmë një fiasko strategjike për Rusinë,” tha ai, duke shtuar se “Putini mësoi pak nga historia kur nënvlerësoi përgjigjen e Ukrainës”.

“Sulmi ndaj Ukrainës nuk është një veprim i një kombi të madh”, tha Biden.

“Tashmë të rinjtë dhe të arsimuarit po largohen nga Rusia dhe media shtetërore ruse po përhap vetëm propagandë”, shtoi presidenti amerikan.

Presidenti amerikan tha në një fjalim se ai refuzon të besojë se njerëzit e zakonshëm në Rusi mbështesin pushtimin e Ukrainës, duke shtuar se “rusët nuk janë armiqtë tanë”.

“Më lejoni të them këtë, nëse mund të më dëgjoni: ju, populli rus, nuk jeni armiqtë tanë! Unë refuzoj të besoj se ju e pranoni vdekjen e fëmijëve dhe gjyshërve të pafajshëm pa asnjë problem ose se pranoni që spitalet, shkollat, maternitetet të granatohen nga raketat dhe bombat ruse”, tha Biden, duke iu drejtuar drejtpërdrejt rusëve.

“Kjo luftë po e çon Rusinë në shekullin e 19-të,” tha ai, duke shtuar se “Evropa duhet t’i japë fund varësisë së saj nga karburantet fosile ruse”.

“Përparimi më i madh ndodh në momentet më të errëta të historisë,” tha Biden, duke kujtuar rënien e Murit të Berlinit në 1989.

“Mos kini frikë”, tha Biden, duke shtuar se “një diktator nuk mund të fshijë kurrë dëshirën e njerëzve për liri”.

Në fund të fjalës së tij, Biden, duke folur për Vladimir Putin, tha: “Për hir të Zotit, ky njeri nuk mund të qëndrojë në pushtet”.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re