Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, ka deklaruar se informacionet paraprake tregojnë se “nuk ka gjasa” që raketa e cila ra në Poloni të jetë lëshuar nga Rusia.

Duke folur para gazetarëve pas takimit me disa liderë botërorë gjatë ditës së fundit të samitit G20 në Bali të Indonezisë, Biden shprehu ngushëllimet e tij për dy personat që humbën jetën në shpërthim.

I pyetur nëse raketa ishte nga Rusia, presidenti amerikan tha, “Kemi informacione paraprake që e kundërshtojnë këtë. Nuk dua ta them këtë derisa të hetojmë plotësisht. Nuk ka gjasa që në bazë të vijës së trajektores të jetë lëshuar nga Rusia”.

Sulmi i dyshuar me raketa ndodhi në fshatin Przewodow të Polonisë lindore, që ndodhet pak kilometra larg kufirit me Ukrainën.

Shpërthimi ka ndodhur 500-600 metra larg një shkolle fillore. Zona pranë vendit të shpërthimit është mbyllur.

Biden gjithashtu bisedoi me presidentin polak, Andrzej Duda dhe i ofroi mbështetjen e SHBA-së për hetimet që ka nisur Polonia për shpërthimin e raportuar.

Ndërkohë, ambasadorët e NATO-s do të takohen sot për të diskutuar rreth sulmit të dyshuar raketor që ndodhi në territorin e Polonisë, e cila është anëtare e aleancës.

Sipas një njoftimi nga NATO, takimi urgjent në selinë e aleancës në Bruksel, i cili do të kryesohet nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, do të diskutojë “incidentin tragjik” në të cilin u vranë dy polakë.

Burimi: AA

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re