Djali i presidentit amerikan Joe Biden është hedhur në kundër sulm pas  problemeve ligjore të kohëve të fundit. Hunter Biden të hënën ka ngritur një padi gjyqësore ndaj agjencisë së taksave, duke akuzuar se dy punonjës të kësaj agjencie ndërhynë dhe shpërndanë të dhëna personale pa autorizim.

 

Së bashku me padinë e re, Hunter Biden ka kërkuar që në proceset ligjore të trajtohet njësoj si çdo shtetas tjetër amerikan. Kjo vjen pas një tjetër padie, që djali i presidentit ngriti për një ndihmës të Donald Trump javën e kaluar.

 

Megjithëse avokatët e Hunter Biden argumentojnë se ky kundërsulm mund të jetë i suksesshëm për 53-vjeçarin, kjo strategji mund t’i prishë shumë punë babait të tij në një kohë që ai kërkon të rizgjidhet president i SHBA në garën e vitit të ardhshëm. Demokratët kanë ngritur shqetësime se problemet ligjore të Hunter Biden mund të dëmtojnë garën jo vetëm të Biden, por të të gjithë demokratëve.

 

Këto probleme të presidentit aktual i shtohen hetimit për shkarkimin e tij nga republikanët e dhomës së përfaqësuesve, të cilët pretendojnë se Biden ka dijeni dhe është bashkëpunëtor në bizneset e paligjshme të te birit. Agjencia e taksave dhe avokatët e punonjësve që akuzohen nuk kanë reaguar.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re